Veprimi i Mërgim Mavrajt duke goditur kundërshtarin me kokë që u shoqërua me marrjen e kartonit të kuq u cilësua nga të gjithë si momenti vendimtar që vendosi dhe fatin e ndeshjes me Skocinë.

Kur kanë kaluar disa orë nga ndeshja skandaloze e humbur kundër Skocisë me rezultatin 0-4 duket se kapiteni ka reflektuar dhe përmes një postimi në Facebook u ka kërkuar falje të gjithëve.

“E ndjej të kërkoj publikisht falje për atë moment dobësie. Të gjithë gabojmë dhe këtë herë më ndodhi mua. Për kombëtaren kam luajtur edhe i dëmtuar dhe kur im atë luftonte për jetën, ndaj ajo që u kërkoj është që të më kritikoni, sigurisht, por jo të vini në diskutim dashurinë për këtë fanellë që do ta mbroja dhe me gjak.

Shohim përpara, me bindje se Shqipëria do të kthejë kapitull. Të gjithë bashkë mund t’ia dalim, nëse jemi të ndare, atëherë kushdo mund të na mposhtë. Me respekt, Mergim Mavraj”, shkruan mbrojtësi në profilin e tij në Facebook.