Vebi Bexheti

 

Sot të gjitha rrugët çojnë në Manastir. Pelegrinët shqiptatë anembanë trojeve të tyre, nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Presheva , Maqedonia e diaspora, që në orët e mëngjesit ia msynë këtij qyteti sa krenar aq edhe të dhimbshëm për fatin e tij historik. Manastiri i dikurshëm, që frymonte shqip, e mburrej me veprimtarët atdhetarë që jetonin aty, por edhe me të tjerët të cilët ky qytet i përcillte drejt lindjes e perëndimit, për të vazhduar veprimtarinë e tyre atdhetare, epopesë së lavdishme të betejës për një alfabet të njësuar, i dha fund fill pas shpalljes së Pavarësise së Shqipërisë, kur në vitin fatkeq për shqiptarët, 1913, Kongresi i Londrës ia shkëputi këtë qytet Shqipërisë, ashtu si shumë pjesë tjera të trojeve etnike shqiptare, që mbetën jashta saj.

Ky qytet i njohur si djepi i ABE-së shqipe, që pas njohjes së Shqipërisë londineze mbeti nën mëshirën e sunduesve sllavë serbo-bullgarë, meqë për maqedonas as që flitej atë kohë, iu nënshtrua dhunës së paparë për shpërngulje të shqiptarëve muslimanë në Turqi dhe asimilim të plotë të atyre të krishterë. Në këto rrethana të një sundimi të gjatë të egër barbarë dhe nën presione të vazhdueshme, ky qytet i lulëzimit të kulturës shqiptare, me të cilin mburrej i gjithë kombi, mbeti i njohur vetëm për një ngjarje me peshë historike për shqiptarët dhe gjuhën e tyre, ngjarje kjo e cila një herë në vit i tubon ata për ta kujtuar kohën e motit të madh, do thoja.

Manastiri shqiptarë i përgjumur, e i ishtypur edhe në periudhën e Jugosllavisë së re, përmes Maqedonisë, si republikë e saj, që e vazhdoi ,,me sukses”spastrimin” e shqiptarëve me shpërngulje drejt Turqisë, vetëm nga një pjesë e shqiptarëve njihej si qyteti ku u mbajt ky Kongres historik, sepse në atë kohë as që bëhej fjalë për manifestime përvjetorësh që do mundësonin njohje më të thellë për gjeneratat. Pas vënies së Pllakës përkujtimore nga Institucionet e Krahinës së atëhershme të Kosovës, në muret e shtëpisë , ku u mbajt Kongresi, shqiptarët e këndej kufirit, së paku e kishin një adresë ku të drejtoheshin, por vtëm si individë me iniciativë private, për ta vizituar qytetin i cili kishte kohë që nuk frymonte shqip.

Shpresat se me ardhjen e demokracisë dhe në rrethana të reja, shqiptarët do bënin shumë më tepër për këtë shtëpi ku lindi alfabeti ynë, si duket po shuhen vazhdimisht. Me gjithë premtimet me fjalët plot,, patriotizëm”të pushtetarëve shqiptarë, të instaluar në Qeverinë e këtij shteti, se do bëjnë punë të mëdha për këtë shtëpi muze, objekti ku ngjau historia e gjuhës shqipe, edhe mëtutje mbetet nën mëshirën e huliganëve maqedonas, duke e dhunuar sa herë që u do qejfi, për të mos u zbuluar kurrë. Premtimet e ministrave shqiptarë, që shkojnë e vijnë, se do ndajnë më shumë para nga buxheti i shtetit për investime më të mëdha, si duket mbeti vetëm me emrimin e një drejtori shqiptar me statusin e qiraxhiut në shtëpinë e vet dhe me kompetenca të kufizuara për të bërë diçka më shumë.

Edhe në këto rrethana të vetmisë së madhe dhe të zymtësisë, që me kohë e ka kapluar pjesën e atyre pak shqiptarëve që kanë mbetur në Manastir, atyre u kthehet buzëqeshja një herë në vit, kur pelegrinët shqiptarë e vizitojnë Jerisalemin e pushtuar të tyre.