Në spitalin e Kumanovës erdhi cirku. U bë një film edhe i vizatuar nuk mund të dilte më mirë. Për të treguar se sa jemi me fat që kemi këtë spital që është i gatshëm të intervenojë në çfarëdo situate. Që kemi një repart të kirurgjisë me një kryeshef ekselent dhe një staf të përkryer që i zgjidhin gjitha rastet që drejtohen për ndihmë në çdo kohë.
Por realiteti është krejt ndryshe. Në popull thonë “nëse dëshiron që as spitali shtetëror të mos mund të të drejtojë shko në spital të Kumanovës për disa ditë”.
Këtë fatkeqsisht ta thonë shumë që kanë pasur të sëmurë në këtë spital.
Kjo është edhe një tentim i ministrit dhe vartësve të tij për ti hedhur hi syve qytetarëve që kjo qeveri do ta drejtojë shëndetsinë, as që i vjen era bile. Në vend se të investojë në infrastrukturën e spitalit, punësimin e mjekëve të rinj në bazë të kriteriumeve, ripërtrirjen e kuadrit specialistik, edukimin e mjekëve etj, ata bëjnë film.
Kur ta shohish nga njëra anë ashtu edhe është në realitet. Në film pamë disa aktorë që nuk i kemi parë më parë. Ata që vërtetë punojnë në sidomos repartin e kirurgjisë asnjë nuk e pamë në këtë film. Ashtu si është në realitet një apo dy punojnë tjerët luajnë filma.
Në këtë film si dhe në filmat tjerë që bën kjo qeveri nuk pati aktorë shqiptarë përveç një ndihmës tekniku spitalor. A thua në këtë spital nuk ka asnjë mjek, motër apo teknik shqiptar? Apo ndoshta këtu fshihet dëshira e Lsdm-së që të rikthejë kohën kur në këtë spital ka pasur të punësuar një teknik spitalor të vetëm shqiptarë.
Ku ka mbërri përfaqësimi adekuat në këtë spital kur dihet se Kumanova me Likovë që e frekuentojnë këtë spital me regjistrimin e popullatës në vitin 2002 janë 47% shqiptarë.
Aktualisht në këtë spital punojnë mbi 70 specialistë prej tyre 15 shqiptarë.
Por mos të fajësojmë vetëm njërin partner të koalicionit qeveritar. Të përkujtojmë opinionin se për 15 vite me radhë drejtor në këtë spital ka qenë kuadër i njërës prej partive shqiptare në këtë koalicion 13 vite BDI dhe 2 vite PDSH. Dhe për fund sipas informacioneve që kemi këta specialistë shqiptarë me shumicë janë shembull për punë e mirësjellje, ndoshta edhe kjo ka qenë arsyeja pse nuk janë përfshirë në këtë film se të “ shkretit” nuk dijnë të aktrojnë, nuk e kanë bërë asnjëherë më parë. Kjo na bën bile pak të ndihemi krenarë me këta kuadro të paktë që i kemi. Filmat e ministrit do të vazhdojnë por edhe reagimet tona nuk do të kenë të ndalur.