Kombëtarja e Kosovës shemb Azerbajxhanin me rezultat 4:0, në ndeshjen e fundit të grupit 3 të kualifikueseve në Ligën e Kombeve në Divizionin D në futboll. Ndeshje si finale, sepse luftohej për vend të parë, por djelmoshat e kombëtares së Kosovës dhanë maksimumin dhe nuk i dhanë asnjë mundësi rivalit që të jetë i rrezikshëm. Arbër Zeneli me tri gola dhe Amir Rrahmani me një i dhanë goditje tronditëse azerëve.

Kosova përfundoi në vend të parë me 14 pikë, pesë më shumë se Azerbajxhani në pozitën e dytë. Kosova përveç që ngritët në Ligën C, do të luajnë në gjymsëfinale të play-off-it kundër Maqedonisë, për të kërkuar kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian 2020. Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, meriton notë dhjetë, për faktin se ka ndërtuar një ekip shumë të fortë dhe u pa në secilën sfidë, pas asaj fitoreje me 5:0 në Maltë, në stadiumin “Fadil Vokrri” i mbajtën leksion azerëve me rezultat 4:0. Në minutën e 2-të, Arbër Zeneli nga rreth 16 metra me një dinakëri godet topin dhe fërfëllon në rrjetën e Azerbajxhanit, 1:0. Gol që ngriti në këmbë të gjithë tifozët në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Valon Berisha në minutën e 29-të, nga gjuajtja e lirë rreth 20 metra goditi bukur por topi për disa centimetra shkoi jashtë shtyllës pingule të portierit Agayev. Në minutën e 40-të,Kosova në situatë të palakmueshme, kur Almeida nga rreth 22-23 goditi fortë por portieri Arijanet Muriq me vetëmohim të pashoq shpëtoi portën.
42′ Benjamin Kololli në situatë ideale por njëri nga mbrojtësit rival devijoi topin dhe shpëtoi portën. Në pjesën e dytë përkatësisht në minutën e 50-të, veprim i shpejt, Vedat Muriqi asistoi deri te Arbër Zeneli i cili del i vetmuar dhe me mjeshtri e mposhti portierin Agayev, 2:0. Në minutën e 61-të, Kosova shemb Azerbajxhanin! Mbrojtësi Amir Rrahmani nga afërsia me kokë shënon dhe 3:0. Arbër Zeneli shënon het-trik në minutën e 76-të. Ai me një veprim mjeshtëror brenda 16-shit, krijon hapësirë dhe goditi fortë, për të shënuar për 4:0. Kosova i shkaktoi humbjen e parë rivalit. Kosova përfundoi në vend të parë me 14 pikë apo me 4 fitore e 2 barazime dhe me goldallim 15:2, kurse Azerbajxhani është i dyti me 9 pikë, dy fitore, tri barazime e një humbje, me goldallim 7:6.
Fitore e madhe e djelmoshave tanë, Kosova në festë, azerët të dëshpëruar.