Pushimi i mandatit të deputetit Nikolla Gruevski s’mund të konstatohet, por do të duhet të votohet me dy të tretat e votave në kuvend.

Kjo për shkak se Gruevski është I dënuar për vepër më të lehtë penale që maksimumi i ndëshkimit është pesë vjet burg. Profesori univeristar Bekim Kadriu spjegon se mandati do të konstatohej vetëm në rast se Gruevski dënohej për vepër të rëndë penale me dënim minimum pesë vjet.

“Bëhet fjalë për vepër për të cilën nuk është paraparë dënim me burg minimum pesë vjet dhe për këtë arsye duhet të ketë votim në kuvend me dy të tretat e votave. E kundërta, nëse bëhej fjalë për një vepër për të cilën parashihet dënimi me burg minimum pesë vjet, atëherë deputetit i pushon mandati sipas kushtetutës. Atëherë Kuvendi vetëm e konstaton pushimin e mandatit në mbledhjen e ardhshme, menjëherë pasi merr informatë nga gjykata se deputeti është dënuar për një vepër të tillë, pra nuk ka nevojë të votohet me dy të tretat e votave por me shumicë apsolute vetëm konstatohet pushimi i mandatit sipas kushtetutës për shkak të veprës që është kryer dhe për të cilën minimum parashihet pesë vjet dhe më shumë”, u shpreh për MTV2, eksperti juridik, Bekim Kadriu.

Nëse nuk sigurohen dy të tretat e votave kjo nuk e pamundëson Gruevskin që të vuajë dënimin në burgun e Shutkës. Ai do të përgjigjet për veprën penale duke pasur mandatin edhe në burg, dhe duke marrë pagën e deputetit.

“Duket pak si situatë apsurde ndoshta edhe qesharake për shkak se deputeti do të vazhdojë me mandatin e tij dhe do të marrë rroga, ndërsa në të njëjtën kohë është në vuajtje të dënimit me burg, mirpo kushtetuta e parasheh këtë gjë”, tha eksperti juridik, Bekim Kadriu.

Sipas Kadriut as imuniteti nuk e mbron deputetin nga përgjegjësia penale, por vetëm nga paraburgimi. Vuajtjen e dënimit me burg Gruevski do të duhet ta nisë më datë 8 nëntor.

Mungesa e tij gjashtë mujore mund që të shpie në pushim të mandatit, por që sipas ekspertit juridik Bekim Kadriu edhe atëherë do të nevojiten dy të tretat e votave. Nikolla Gruevski i akuzuar në procesin gjyqësor Tanku dënohet me dy vite burg pasi gjatë 2012-ës ka ndikuar tek ish ministrja e brendshme Jankullovska që në kundërshtim me procedurat të blejë Mercedesin e blinduar,në vlerë prej 600 mijë eurosh.