Duke komentuar zhvillimet e fundit në Maqedoni, ish ambasadorja holandeze, Simone Filipini thotë se ish anëtarët e qeverisë që janë të paditur në rastet gjyqësore, duhet të heshtin dhe të mendojnë se çka i kanë bërë shtetit.

“Njerëzit që janë përgjegjës për nivelin e lartë të korrupsionit, për rrënimin e sundimit të së drejtës në Maqedoni, për rrënimin e pavarësisë së mediumeve, për korruptim të gjykatësve, dhe të jem e sinqertë, disa njerëz nga qeveria e kaluar, e ne e dimë mirë se kush janë ata, ish ministrja Gordana Jankullovska dhe disa të tjerë që me të drejtë janë të akuzuar tani në raste gjyqësore, mendoj se është koha e fundit të mbyllin gojën dhe të mendojnë për atë që ia kanë bërë shtetit, kundër shtetit dhe kundër qytetarëve të Maqedonisë”, thotë Filipini, transmeton Gazeta Lajm.

Filipini ka marrë pjesë në Forumin botëror për demokraci në Këshillin e Evropës në Strazbur. Sa për ilustrim, rikujtojmë se funksionar të dyshuar nga gjykatat nga koalicioni i mëhershëm qeveritar, VMRO-BDI, janë krerët e koalicionit, Nikolla Gruevski e Ali Ahmeti, ish zëvendëskryeministrat Zoran Stavrevski e h.Bujar Osmani, si dhe shumë ministra e deputetë nga ky koalicion.

Sa i përket temës së presionit ndaj mediumeve që e ka prekur ambasadorja Filipini, rikujtojmë opinionin për paditë që kundër Gazetë Lajm kanë ngritur kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe BDI si parti politike, raste qe jane permendur edhe ne Raportin vjetor te State Departamentit Amerikan per shkeljen e te drejtave te njeriut per vitin 2016.