Pasditen e së martës, mijëra qytetarë ia mësynë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, në përpjekje për të gjetur pune në aeroportin e Hamburgut të Gjermanisë, nëpërmjet një kompanie nga Prizreni, e cila ka hapur konkurs për 2 mijë vende pune në shtetin gjerman. Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Hamush Haradinaj, ka bërë të ditur se është duke u hetuar kjo kompani, ndonëse në Polici thanë se nuk ka nisur ndonjë hetim. Por, edhe sot Haradinaj sërish është deklaruar për këtë çështje, shkruan Gazeta Express.

Kryeministri Ramush Haradinaj është deklaruar sërish lidhur me të rinjtë në Prizren, të cilët po dëshirojnë të marrin rrugën drejt Gjermanisë për tu punësuar.

Gjithë kjo pas një lajmërimi të një kompanie gjermane, e cila ditë më parë ka njoftuar për mundësi punësimi në aeroportin e Hamburgut. Ndërsa kompania nga Prizreni ka hapur konkurs për t’ua mundësuar kosovarëve të punësohen në këtë aeroport.

Sot, Haradinaj ka deklaruar se gjendja e fundit me të rinjtë në Prizren po e brengos shumë.

“Mua më dhemb kjo gjendje në Prizren dhe e ndiej, gjatë tërë vitit kemi punu që me e pru Gjermaninë në Kosovë dhe jo ne me shku. Shpresoj që qytetarët do mund të gjejnë vende të punës në Kosovë dhe jo jashtë saj”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, dje Haradinaj kishte thënë se kjo kompani po hetohet nga organet kompetente.

Ndërkaq deklaratën e Haradinajt, e kishte demantuar Policia e Prizrenit, e cila ka thënë për Televizionin T7 se nuk kanë hapur rast hetimi për kompaninë në fjalë.

Kurse, zyrtarët nga Prokuroria Themelore në Prizren, nuk kanë treguar detaje nëse një hetim i ngjashëm është duke u bërë.

E për atë që ndodhi kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka treguar se është i habitur. “Unë nuk kam kurrfarë informacioni as për këtë ngjarje as për kompaninë. Shpresoj që nuk është ndonjë aspekt korruptiv aty dhe qytetarët nuk bien pre e ndonjë mashtrimi. Nuk kemi pasë as informata, nuk kemi ditë as për çka është fjala. Pos asaj që e kemi pa nga mediat, nuk e kanë kontaktuar komunën as nuk kanë kërkuar ndonjë bashkëpunim nga komuna”, ka thënë Haskuka.

Kjo kompani, kishte ardhur dje edhe në “Sallën e Kuqe” në Prishtinë, mirëpo në kryeqytet duket se nuk kishte shumë të interesuar sa në Prizren.

Në kryeqytet, ishin rreth 400 persona të cilët kishin ardhur për të aplikuar për punë në këtë agjencion i cili po pretendon se po shërben si ndërmjetësues për t’i punësuar qytetarët në Gjermani.

Kompania “BSB Aviation” është regjistruar në formën Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK), me kapital prej vetëm 1,000 euro, ndërsa pronar figuron të jetë një person i quajtur Bujar Berisha.

Ndryshe, për mashtrim të rreth 900 personave për viza pune në Gjermani aktualisht po akuzohet deputeti Milaim Zeka, dhe partneri i tij afarist Ilir Krasniqi. Sipas raportimeve , Zeka dhe Krasniqi akuzohen se me premtimin për sigurimin e një vendi të punës në Gjermani, aplikantët ishin detyruar të paguanin shuma që varionin nga 50 euro e deri në 3,500 euro, mirëpo viza e punës nuk kishte ardhur kurrë.