Menaxheri i Manchester Cityt ka folur për dëshirat e tij që ka për të ardhmen.

Pep Guardiola po shijon aventurën e tij te Manchester City, që sipas tij me të ardhur në Angli ai ka filluar të bëhet edhe trajner më i mirë.

Spanjolli është në vitin e tretë si trajner i Citizens dhe deri më tani ka fituar një titull të kampionit me ta.

“Tani jam trajner më i mirë sesa që isha në Gjermani tek Bayern Munich si dhe jam trajner shumë i mirë sesa në kohën kur drejtoja Barcelonën”, ka thënë Pep.

“Ajo që më bën të mendoj se jam përmirësuar, është se jam mësuar t’i menaxhoj situatat në një ligë shumë të vështirë”.

“Ne po bëjmë një punë këtu, ndërsa njerëzit nga anembanë po na përcjellin dhe kjo është fantastike”.

Pep nuk fshihet dhe e pranon se në të ardhmen e largët do t’i pëlqente të drejtonte një kombëtare.

“Do të kisha dëshirë të isha trajner i një ekipi kombëtar. Do të më pëlqente shumë”.

“Do të ndodhë sepse do të jepte më tepër kohë të lirë. Do të kisha dëshirë të luaja më tepër golf, për momentin nuk kam kohë. Herët apo vonë do të ndodhë, nëse një ekip kombëtar do të trokasë në derën time, do të pranoja me kënaqësi”, përfundoi ai.