Përderisa ylli francez i Kombëtares së Francës, Antoine Griezmann, ka bërë të ditur se i dëshiron Topin e Artë, ai e ka theksuar se ky çmim nuk është qëllimi i tij i vetëm dhe kryesor.

Griezmann është një ndër 30 kandidatët të cilët e kanë mundësinë për ta fituar këtë çmim për shkak të suksesit që tregoi ai gjatë turneut të Kupës së Botës në Rusi, si dhe titullin e Evropa Ligës me Atletico Madridin, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi ishte pjesë e skuadrës së Francës të cilët arritën të sigurojnë fitore në ndeshjen miqësore kundër Uruguait të enjten, dhe pas kësaj ndeshje, 27-vjeçari bëri të ditur se e dëshiron Topin e Artë, por nuk është i fiksuar pas tij.

“Dua ta fitoj Topin e Artë. A jam i fiksuar me të? Jo, ky është një problem për Francën. Njerëzve aty nuk u pëlqen kur ti kërkon diçka për vete, por unë jam krenar që jam i kandiduar dhe shpresoj se do ta fitoj”, ka thënë Griezmann.

“Natyrisht, ka njerëz të tjerë që mund ta fitojnë atë dhe e meritojnë, kështu që do ta shohim se çfarë do të ndodhë”.

Griezmanni i kishte shënuar katër gola në Kupën e Botës, ndërsa i shënoi 29 gola për Atletico Madridin sezonin e kaluar. Fituesi i Topit të Artë bëhet i ditur më 3 dhjetor.