Gjykata dje ka ndaluar për shitje, gjegjësisht i ka ngrirë gjithsej 69 objekte në pronësi të VMRO-DPMNE-së, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe pallati i VMRO-DPMNE-së, konfirmojnë nga Prokuroria Speciale Publike, njofton Portalb.mk.

Ashtu siç sqarojnë nga PSP, kjo pronë kryesisht është blerë në periudhën prej 2013 deri në vitin 2015 dhe gjendet në mbarë Maqedoninë.

Ndryshe, kryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, në një intervistë për MKD, javën e kaluar tha se në kontekst të harxhimeve racionale të partisë mendon edhe për shitjen e ndërtesës së partisë, e njohur në opinion si Pallati i Bardhë.

“Mendoj për racionalizim të harxhimeve në parti. Nëse ka ofertë përkatëse, objektin e shtabit të partisë do ta kishim shitur ose do ta kishim dhënë me qira. Tani po bëjmë një lloj të skenimit të pazarit, kështu që do të shohim”, thotë Mickoski.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka hapur lëndë në lidhje me ndërtimin e ndërtesës në fjalë me emrin e koduar “Talir“.

Sipas PSP-së, VMRO-DPMNE në mënyrë joligjore e ka fituar pallatin, për të cilën i dyshuari i parë është ish kreu i partisë së VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Pallatin e ka ndërtuar firma “Beton”-Shkup e biznesmenit Minço Jordanov, që kur partia me marrëveshjen prej vitit 2012 ia ka dhënë tokën afër rrugës “Maqedonia” firmës, ndërsa e njëjta u detyrua ta ndërtojë objektin dhe një pjesë të tij të ia jep VMRO-DPMNE-së sipas parimit “me çelës në dorë”. Ndërsa pjesa tjetër duheshte të jetë hotel, por akoma nuk është përfunduar.

Marrëveshjen e ndërtimit të objektit mes VMRO-DPMNE-së dhe “Beton”, PSP e trajton si donacion nga kompania ndërtuese për një parti politike, sepse në të ka pasur të drejta jo të barabarta dhe detyrime mes partnerëve në favor të partisë.

Me fjalë të tjera, VMRO-DPMNE e ka dhënë vetëm tokën me vlerë prej 1 milion e 250 mijë eurove, ndërsa sipas vlerësimit të PSP-së ka marrë pallat me vlerë prej 6.9 milionë eurove dhe plus 2 milionë euro me para, sepse hapësira e pallatit që e ka marrë partia ka qenë për 634 metra katror më e vogël se marrëveshja, për atë partnerët u morën vesh edhe për para.

Janë investuar 1 milion e 250 mijë euro nga VMRO-DPMNE dhe pasuri të patundshme me vlerë prej pothuajse 9 milionë eurove, ndërsa dallimi PSP prej 7.8 milionë eurove e konsideron si donacion  joligjor të firmës për partinë.