Presidenti francez paralajmëron rritjen e taksës së karburanteve, pavarësisht pakënaqësisë që ka shkaktuar kjo në popull. Emanuel Macron ka deklaruar se do të vazhdojë me planet e tij për rritjen e taksave edhe pse e gjithë Franca rrezikon të përfshihet nga protesta masive.

Presidenti francez, Emanuel Macron, ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga rritja e taksës për karburantet, pavarësisht paralajmërimeve për protesta masive gjatë muajit dhe rënies së popullaritetit të tij në minimum. Shoferët kanë planifikuar bllokimin e rrugëve në mbarë Francën më 17 Nëntor, në shenjë proteste kundër çmimeve të larta, që janë rritur me një të tretën në vitin e fundit, lëvizje që ka vënë në dyshim premtimin e Macron se do të mbronte klasën punëtore.

Me pretendimin për të luftuar ndryshimet e klimës, qeveria e tij ka votuar pro rritjes së taksës me qëllim reduktimin e çlirimit të gazit karbonik, si çmimin e dizelit, karburanti më i përdorur në Francë.

Por rritjet, të vendosura në fund të vitit 2017, kur çmimet e naftës ishin nën 50 dollarë për fuçi, janë bërë më të dhimbshme për konsumatorët pasi çmimi i arit të zi arriti në 85 dollarë për fuçi muajin e kaluar.

Plani i qeverisë franceze ka bërë që popullariteti i Macron të bjerë në 21 për qind, sipas një sondazhi të publikuar javën e kaluar. Por presidenti, i cili ka nisur një tur 7-ditor në veri-lindje të Francës, ka deklaruar se nuk ka në plan të tërhiqet.

“Më mirë të taksoj karburantin se sa klasën punëtore. Njerëzit që ankohen për rritjen e çmimit të karburanteve janë të njëjtët që ankohen për ndotjen e ajrit dhe për fëmijët e tyre që vuajnë”, tha Macron në një intervistë.

Ndërkohë, rivalët e tij politikë kanë dalë në mbështetje të rebelimit qytetar, duke e etiketuar ish-bankierin si anëtar të elitës metropolitane, që nuk e ka idenë se çfarë ndodh jashtë Parisit