Javën e ardhshme Kuvendi do të fillojë debatin mbi draft-amendamentet për ndryshimet Kushtetuese. Katër amendamentet e Qeverisë të cilat synojnë ndryshimin e Kushtetutës në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, më 7 nëntor do të gjenden para deputetëve në Komisionin për Çështje Kushtetuese. Ekspertët juridik presin debat cilësor dhe propozime konkrete dhe deputetët.

Do të jetë një mundësi që të gjithë t’i shprehin mendimet pro dhe kundër kësaj marrëveshje të arritur mes dy kryeministrave. Kjo për Maqedoninë do të thotë shumë pasi që edhe pengesa e fundit për anëtarësim në NATO dhe BE po tejkalohet. Në kohë dhe momente kur negociohet jo gjithmonë mund të dalësh fitimtar 100 për qind- u shpreh Argëtim Saliu.

Saliu shton se përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulë forcon arsyet për opozitën shqiptare që të këmbëngulin edhe më tepër në kërkesat e tyre për largimin e 20 përqindëshit dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

 Jemi në një proces paksa më të ndërlikuar. Tani bëhet fjalë për anëtarësim në NATO dhe BE, kështu që ne shqiptarët jemi mësuar gjithmonë të bëjmë kompromise dhe kjo që është bërë nuk është pak, ka mundur më mirë, por besoj se në të ardhmen do t’i ngelet faktorit politik shqiptar që të avancojnë përmes hartimit të legjislacioneve të veçanta, pasi që tani tani edhe Marrëveshja e Ohrit është pjesë e Preambulës dhe si e tillë betonohet në Kushtetutë- tha ai.

Te premten që lamë pas, Qeveria hartoi draft-amendamentet për ndryshimet Kushtetuese. Amendamenti i parë ka të bej me ndërrimin e emrit “Republika e Maqedonisë” dhe “Maqedonia” në “Republika e Maqedonisë së Veriut” dhe “Maqedonia e Veriut”. Pjesa e dytë është Preambula ku vendimet e KAÇKM-së zëvendësohen me “shpalljet e KAÇKM-së” dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit. Me amendamentin e tretë shtohet një paragraf në nenin 3 dhe ka të bëj me sovranitetit, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje dhe amendamenti i katërt përskaj identitetit maqedonas, qëndron se republika i mbron të drejtat dhe interesat e qytetarëve të saj dhe i përmirëson lidhjet me atdheun. Pas përfundimit të debatit, Kuvendi draftet i vendos në debat publik.