Trajneri i Holandës Ronald Koeman ka mbetur i befasuar nga superioriteti i skuadrës së tij në ndeshjen e fituar 2-0 ndaj Francës, për Nations League, të premten.

Georginio Wijnaldum shënoi në pjesën e parë dhe Memphis Depay nga pika e bardhë vulosi fitoren në fundin e kohës shtesë, me “Oranje” që mposhti në çdo drejtim kampionët e botës në Rotterdam.

Holanda nuk u kualifikua dot për Euro 2016 dhe Kupën e Botës 2018, por paraqitjet e fundit tregojnë se kriza po lihet pas dhe trajneri Koeman është optimist.

“Nuk e prisja që të ishim skuadra më e mirë në fushë për 90 minuta”, tha Koeman për televizionin holandez NOS.

“Nuk e prisja as që të ishim të aftë ta lexonim gjithë ndeshjen kaq mirë. Jam krenar për këtë paraqitje kaq të pjekur, është një hap gjigant përpara. Ne flasim gjithnjë për këtë, për hapin e ardhshëm. Tani kemi parë një ndeshje ku ne, edhe ndaj një kundërshtari si Franca, e nisim mirë dhe kontrollojmë ndeshjen deri në fund”.

Koeman ka lavdëruar skuadrën e tij, që ka rigjetur entuziazmin e kohërave të arta: “Që në stërvitje duket se skuadra ka dëshirë të punojë, të ketë suksesin që mungon prej shumë vitesh.

“Pastaj sheh ndeshje të tilla dhe e kupton që kemi shansin të fitojmë një grup që askush nuk e priste ta fitonte, as unë. Kjo ecuri na jep shumë besim”.