Anëtari serb i presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Millorad Dodik, ka thënë sot se është “tërësisht e papranueshme” që Kosova, siç ka vlerësuar ai, po shkel të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).

Dodik ka thënë për agjencinë e lajmeve SRNA se taksa prej 100 për qind, e vendosur të mërkurën nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina, rrezikon të trazojë krejt marrëdhëniet rajonale – jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht.

Ai ka deklaruar se “ata që i kanë mundësuar Kosovës statusin e vetëshpallur dhe disa të drejta” duhet të ndërmarrin masa që kjo të mos ndodhë.