Dr. Fatmir Hasani

 

Nga të dhënat e shumta statistikore të paraqitura në informacionet mbi kronikën e zezë në Buletinin policor, është tmerrues fakti i vrasjeve me makina dhe për të rinjtë që janë ngasës të makinave me shpejtësi të shfrenuar. E kësaj, duhet t’i shtohet edhe fakti se mosha e re janë edhe viktimat më të shpeshta në komunikacion.

I referohem strukturës së moshës së ngasësve të automjeteve, duke e pasur parasysh numrin e madh të atyre që janë ngasës të makinave me defekte të (pa)vërejtura, e shumë shpesh edhe ngasës pa patentë.

Nuk e kemi të vështirë të konstatojmë se mungesa e rendit në komunikacion ka bërë që t’i humbasim njerëzit tanë më të dashur. Sikur jeta dhe vdekja janë bërë ‘miq’ të vërtetë në komunikacion.

A mendon dikush për këtë? (As)pak! Në këtë mënyrë, mund të bëheni armiq për veten, familjet tona dhe për të tjerët në komunikacion.

Ku është kontrolli i shtetit? Pse nuk shmangen nga komunikacioni makinat e pa kontroll tenik? Ku është policia e trafikut? Pse mungojnë trotuaret? Pse veturat parkohen vend e pavend? Në fund të fundit, deri kur do të heshtë shteti ndaj vrasjeve me makina?

Mungesa e inspektimeve teknike, siç vërejmë çdo ditë, ka degraduar dhe diskredituar çdo lloj procedure ligjore në këtë shtet. Ka kohë që për anashkalim procedurash nuk është shkarkuar, madje as është regjistruar ndonjë ndjekje penale ndaj ndonjë polici “zemërgjerë”, të cilit para hundës orë e çast ia shpon veshët zhurma e fishkëllimës së gomave të makinave që ngiten përçart. Pastaj, si të mos ndodhë më e keqja.

A mendon ai polici i shtetit se po të ishte në vendin e familjarëve të këtyre viktimave si do të ndjehej? Kështu siç ka marrë hov sot e keqja në komunikacion, nesër mund të jetë secili nga ne ai mbi të cilin do të përplasen makinat dhe ne do ta pësojmë me jetë për fajin e mosreagimit të policisë. Kush do të duhet të fajësohet për këtë? Shteti (qeveria, partia që i veshë njerëzit me pushtet).

Tani është koha kur një numër i madh njerëzish duhet të reagojnë me ashpërsi rreth rasteve aktuale tragjike të shkaktuara nga aksidentet rrugore. Me shpresë se ky nuk do të jetë thjesht një reagim i vdekur në letër, por policia e shtetit do të vendosë që më në fund të ndërmarrë masat e nevojshme në inspektimin teknik të makinave dhe kontrollin në rrugë.

Shpesh dëgjojmë komentet për shpejtësinë maksimale të lejuar në rrugët tona se duhet të jetë edhe më e vogël se sa është tani. Sigurisht, disa kufizime duhet të rishqyrtohen dhe të korrigjohen, por nuk është problemi këtu. Faktet rrëqethëse siç është përplasja vdekjeprurëse e Bashkim Demirit me makinë nga fshati Sllupçan, tregojnë se kjo çështje është shumë më komplekse dhe më serioze sesa që duket në shikim të parë.

Njohës të fushës së komunikacionit kanë nxjerrë në pah fakte se tejkalimi tepër i madh i shpejtësisë maksimale të lejuar ka çuar në rritjen e numrit të viktimave në komunikacion. Kur është fjala për rrugët e vendbanimeve tona, situata është edhe më dramatike, pasi në këtë rast numri i viktimave tragjike është në rritje, duke arritur në kufirin e një intolerance të mëtutjeshme.

Aktualisht, shteti është përgjegjës për rrugët tona. Jam i bindur se prania e policisë së shtetit nëpër rrugët tona, në periudhën e ardhshme, do ta zvogëlonte dukshëm numrin e vdekjeve në rrugë. Ky numër do të pësonte rënie të konsiderueshme. Në të kundërt, ky numër do të ishte dukshëm më i madh nëse nuk ndërmerren masa konkrete urgjente për të rritur gjobat për tejkalimin e shpejtësisë maksimale të lejuar.

Duke qenë të vendosur në zbatimin e ligjeve mbi bazat e sigurisë në rrugë policia e shtetit duhet të ketë një autorizim të qartë nga ana e autoriteteve përgjegjëse qeveritare për kontrollin dhe rregullimin e trafikut në rrugë. Caktimi i patrullave policore, niveli kulturor dhe vetëdija e aktorëve në komunikacion duhet të jetë në nivel. Për fat të keq, deri më sot janë vërejtur dobësi të konsiderueshme të aktorëve rendmbajtës në komunikacion, prandaj përmirësimi i nivelit të sigurisë në këtë fushë (nga ana e autoriteteve), është e vetmja mundësi që të shpëtojmë nga kjo e keqe e madhe që po gllabëron jetët tona.