Erjona Sulejmani është një personazh i dashur dhe i komentuar në Shqipëri. Në një rrëfim ekskluziv për ‘Pasditja ime’ me Eraldo Rexhon, ajo ka zbuluar më tepër për jetën, karrierën dhe planet për të ardhmen. Së fundmi Erjona u bë pjesë e kastit të personazheve publikë që u përzgjodhën për ‘Temptation Island’, program televiziv që u shfaq për herë të parë në ‘Canale 5’. Teksa flet për këtë eksperiencë, modelja e njohur zbulon se pas gjithçkaje fshihet një punë kolosale, ku profesionistët përgatisin për muaj me radhë personazhet që do të izolohen në ishull larg gjithçkaje.

“Ky program ishte më i ndjekuri i vitit në Itali. Pata fatin të bëhem pjesë dhe i them faleminderit Maria De Filipit që besoi tek unë. Askush nuk të fal dhe unë e kam fituar çdo gjë me punë dhe djersë. Ai program ishte një ‘udhëtim’ edhe për mua vetë si njeri. Nuk është e lehtë të lësh gjithçka dhe të izolohesh pa kontakte me jashtë”,-tha ajo.

Më tej Erjona ka folur për raportin me mamanë e saj, për të cilën vetëm duke e përmendur u përlot nga emocionet.

Teksa flet për të, ajo shpjegon se marrëdhënia e saj me të ëmën është rrallë. “Mamaja është gjithçka për mua. Heroina ime, që fëmijë kam dashur të jem si ajo vetëm si ajo. Më ka mbështetur gjithmonë dhe ndaj çdo gjë me të”,-shprehet Erjona mes lotësh.

Modelja e njohur i ka vendosur vetes disa qëllime që do t’i arrijë, ndër to ajo shprehet se dëshiron të jetë e lirë dhe mendon se deri diku e ka arritur.