Dalja e Britanisë nga BE’ja mund të ketë pasoja të pa prashikueshme për marrëdhëniet mes Londrës dhe Belfastit. Me tone të moderuara, kryeministri i Irlandës së Veriut ka paralajmëruar se mund të zhbëjë paqen që i dha fund konfliktit të përgjakshëm.

Brexit ka minuar marrëveshjen që i dha fund 30 viteve dhunë në Irlandën e Veriut, e njohur si Marrëveshja e së Premtes së Mirë.

Kështu ka deklaruar kryeministri Leo Varadkar në një intervistë televizive të dhënë të shtunën.

“Përveç kësaj, Brexit po tensionon marrëdhëniet mes Britanisë dhe Irlandës”, ka thënë Varadkar për RTE.

Kufiri mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian ka qenë një nga pikat kyçe të negociatave mes Londrës dhe Brukselit.

“Çdo gjë që përçan komunitetet në Irlandën e Veriut minon Marrëveshjen e së Premtes së Mirë dhe çdo gjë që ndan Britaninë me Irlandën cenon marrëdhëniet dypalëshe”, tha Varadkar.

Pak ditë më parë, sekretari britanik për çështjen e Breksit, Dominik Reeb deklaroi se marrëveshja për daljen nga BE-ja është më afër se kurrë, pasi Mbretëria e Bashkuar dhe Unioni kanë rënë dakord për shumicën e pikave, me përjashtim të asaj të Irlandës së Veriut.

“Drita në fund të tunelit shihet qartë, edhe pse ka ende pengesa”, tha Reeb në një letër dërguar ligjvënësve britanikë. Kur mungojnë 5 muaj nga zyrtarizimi i Breksit, Londra dhe Brukseli vazhdojnë të përplasen për territorin e përkohshëm doganor të përbashkët, shtyrjen e afatit të implementimit të marrëveshjes dhe aksesin e bizneseve të Irlandës së Veriut në pjesën tjetër të Britanisë.