Ministrat e BE-së, të cilët u mblodhën në Bruksel këtë të hënë, e mbështetën marrëveshjen që u arrit këtë javë për Brexit.

Kryenegociuesi, Majkëll Barnier, tha se është i kënaqur që ministrat e mbështetën paketën në përgjithësi, sidomos shtetet anëtare.

Takimi i ministrave të 27 vendeve të bllokut u zhvillua pak para takimit të posaçëm që do të mbahet të dielën në Bruksel.

Vetëm Spanja ka shfaqur vërejtje për mënyrën se si janë përkufizuar termat në Marrëveshjen e Tërheqjes. Ministri i Jashtëm spanjoll tha se ata duan që të jetë e qartë se ajo që po negociohet midis unionit dhe Britanisë, nuk vihet në zbatim edhe për Gjibraltarin. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për veto, të paktën tani për tani.

Ndërkohë që kryeministrja britanike, Tereza Mej, përballet me shumë vështirësi në vendin e saj për pranimin e marrëveshjes, ministrat duken të kënaqur me çfarë është arritur deri tani.

Ministrat përforcuan mesazhin e dhënë nga 27 ambasadorët të premten, duke ritheksuar se çfarëdo vështirësie të hasë Mej në Britani, BE nuk do t’i rihapë negociatat. Ky ishte dhe mesazhi që Mej u përpoq të japë gjatë fundjavës në Britani, me fjalime e intervista të shumta.