Të shtunën kanë rënë reshjet e para të borës në Kosovë për këtë sezon por, përkundër kësaj, edhe pse të gjitha rrugët në vend janë të kalueshme, ka filluar rritja e aksidenteve në komunikacion.

Ekspertët e komunikacionit thonë se mundësia për aksidente në këtë kohë është më e madhe dhe bëjnë thirrje për kujdes më të madh, raporton KTV.

Sipas ekspertit të komunikacionit, Bekim Ahmeti, institucionet duhet të jenë të përgatitura për sezonin e dimrit më herët dhe jo t’i përsërisin praktikat e viteve të kaluara.

Ndërkaq, ish-drejtori i kompanisë “Pastrimi” në Prishtinë, thotë se Komuna e Prishtinës po ua vështirëson punën për shkak të mungesës së mjeteve për t’i pastruar rrugët.

Por, zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës thonë se të gjitha kompanitë kontraktuese janë të gatshme për ndryshimin e motit në vend.

“Jo, nuk do të na befasojë bora sivjet, pasi që të gjitha kompanitë që i kemi kontraktuar janë të përgatitura me kripë dhe mjete të tjera për të qenë të gatshme. Kështu, pra, jemi më shumë të përgatitur sesa vitin e kaluar”, ka thënë Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës.

Nga janari e deri në tetor të këtij viti kanë ndodhur 13 mijë e 195 aksidente trafiku në të gjithë vendin, e që i bie 1 mijë e 594 më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Mirëpo, pavarësisht uljes së numrit të përgjithshëm të aksidenteve, numri i personave të vdekur nga aksidentet ka mbetur pothuajse i njëjtë.

Sipas statistikave të Policisë, gjatë këtij 10-mujori, në aksidente trafiku kanë vdekur 103 persona, e sipas ekspertëve ky numër mund të rritet në sezonin e dimrit.