Grupi i ri i pavarur i deputetëve i formuar nga tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë” të cilët votuan “për” qasjen drejt ndryshimeve kushtetuese, sot do të kenë takim me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë, Nikolla Dimitrov dhe Renata Treneska Deskoska, në të cilën do të bisedohet për projekt amendamentet e Kushtetutës që Qeveria duhet t’i dorëzojë në Kuvend.

Deputetët e vërtetuan takimin dhe theksuan se do të bisedohet për ndryshimet kushtetuese në pajtim me kërkesat e tyre për përforcimin e identitetit, për zbatimin e anuluar të emrit Republika e Maqedonisë së Veriut pas hyrjes në BE dhe për shfuqizimin e ndryshimeve kushtetuese nëse Greqia nuk e ratifikon marrëveshjen.

Në Kuvend deri në mesditë nuk kanë arritur projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese dhe nuk ka paralajmërime zyrtare se kur mund të ndodhë kjo. Supozimet janë se është duke u pritur rezultati prej bisedimeve me grupin e ri të deputetëve. Partitë në pushtet prisnin bisedime edhe me partinë opozitare VMRO-DPMNE por kjo, të paktën zyrtarisht nuk ka ndodhur. Afati pesëmbëdhjetëditor për dorëzimin e projekt amendamenteve skadon të premten.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në takimin e rregullt koordinues të së hënës i ka informuar koordinatorët e grupeve të deputetëve dhe nënkryetarët e Kuvendit se është formuar grup i ri i deputetëve. Koordinatore e grupit të pavarur të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë” është Elizabeta Kançeska Milevska, deputete dhe ish-ministre e Kulturës.

Edhe pse ishte paralajmëruar prej grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, në Parlament akoma nuk është dorëzuar as edhe Propozim-ligji për amnisti.

Në Komisionin për financim dhe buxhet nga ana tjetër, filloi debati për rebalancin e Buxhetit.