Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, Xavi Hernandez, beson se ish-bashkëlojtari i tij, Lionel Messi, mund të vazhdojë të luajë deri në moshën 40-vjeçare, pasi që ai është i pakrahasueshëm me futbollistët e tjerë.

Argjentinasi është tani 31-vjeçar dhe vazhdon të flirtojë me pensionimin nga Kombëtarja, por Xavi i ka gëzuar tifozët e klubit katalonas duke thënë se beson që Messi do të luajë për ta deri në moshën 40-vjeçare, transmeton Gazeta Express.

“Nganjëherë, unë mendoj se ai mund të luajë deri në moshën 38, 39 apo 40-vjeçare. Atij i nevojitet shumë pak për ta bërë këtë gjë”, ka thënë Xavi, i cili u largua kohës së fundit nga Barcelona, për Catalunya Radio.

“Çfarë humbet kur bëhesh më i vjetër? Shpejtësinë? Mirë, por ai nuk do ta humbasë shpejtësinë e tij mendore. Messi është i pakrahasueshëm”.

Aq i madh është respekti i Xavit për aftësitë e Messit, saqë ai beson se ai mund ta marrë edhe ndonjë rol tjetër në fushë.

“Mendoj se ai është në gjendje të luajë kudo në fushë. Ai tashmë shkon në qendër të fushës dhe është efektiv aty. Këtë gjë mund ta bëj edhe si mbrojtës pasi që është shumë i fortë mentalisht”.