Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, ka thënë se lojtarët e tij duhet ta shijojnë Lionel Messi në fushë, për të cilin thotë se është e pamundur ta ndalesh.

Mauricio Pochettino u ka bërë thirrje lojtarëve të tij ta shijojnë faktin se do të përballen me superyllin e Barcelonës, Lionel Messin, në takimin e vlefshëm për xhiron e dytë të Grupit B në Ligën e Kampionëve, duke thënë se kjo do të jetë diçka për të cilën ata nesër mund t’iu tregojnë fëmijëve të tyre, transmeton Gazeta Express.

Kampionia e La Ligës e viziton Wembleyn të mërkurën, për t’u përballur me Spurs që ka nevojë për fitore pas humbjes ndaj Interit në ndeshjen hapëse.

Spurts duhet të gjejnë një mënyrë për ta ndalur Lionel Messin, i cili i ka shënuar tetë gola në nëntë ndeshje këtë sezon.

Megjithatë, Pochettino thotë se lojtarët e tij duhet ta shfrytëzojnë rastin nga takimi me njërin prej më të mëdhenjve të futbollit.

“Nuk do ta gjej ndonjë zgjidhje. Do t’iu them lojtarëve ‘shijojeni lojën kundër Messit, sepse do të keni rast të luani kundër njërit prej lojtarëve më të mirë në histori të futbollit’”, tha ai për mediat britanike.