Vazhdon aksioni i Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës në luftën kundër drogës. Para pak çastesh, SPB Tetovë në bashkëpunim me sektorin kundër krimit të organizuar, ka kryer bastisje në rrugën 29 nëntori, me çrast, gjatë kontrollit të kryer në një kotec pëllumbash, janë gjetur dhe konfiskuar 40 kilogram drogë e tipit marijuanë. Kontrolli vazhdon edhe më tej, ndërsa dyshohet për sasi edhe më të madhe të drogës nëpër disa vende të kësaj lagjeje.

Deri më tani është arrestuar një person pronë e të cilit ka qenë koteci i pëllumbave, ndërsa po hetohen edhe disa pista të tjera që mund të kenë ndërlidhje me rastin në fjalë. Në vendngjarje pritet të del edhe prokuroria themelore e Tetovës dhe gjykatësi hetues.

Vetëm, gjatë ditës së sotme, në Tetovë, janë konfiskuar deri në këto momente rreth 60 kilogram lëndë narkotike e tipit kanabis sativa dhe marijuanë.
SPB Tetovë, paralajmëron luftë të ashpër kundër shpërndarësve të drogës dhe sidomos përdoruesve të saj, me theks të veçantë, përdoruesit e moshave të reja, siç janë nxënësit e shkollave të mesme, siç ishte rasti i arrestimit të sotëm të dy të rinjëve të cilët janë arrestuar duke përdorur marijuanën.