Gjashtë persona janë arrestuar dhe janë konfiskuar rreth 22 kilogramë mariuhanë në operacionin e mbrëmshëm të MPB-së, deklaroi sot zëdhënësi  i Ministrisë, Toni Angellovski.

Mariuhana ishte transportuar nga Shqipëria në Maqedoni. Në “Strazhë” nga ana e nëpunësve policor janë ndaluar dy automjete dhe gjatë kontrollit të realizuar në veturën “Shkoda superb” janë gjetur dhe konfiskuar dy thasë me mariuhanë.

“Në vendin e ngjarjes nga liria janë privuar tre persona nga Shkupi, në mesin e të cilëve edhe organizatori i transportit të drogës K.R. (29) nga Shkupi, i cili paraprakisht ishte dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 11 viteve dhe ishte në arrati nga Institucioni ndëshkues-përmirësues “Idrizovë”, ndërsa ishte kërkuar pas shpalljes së urdhër arrestit. Të privuar nga liria janë edhe R.I. (23) dhe S.E.(22)”, tha Angellovski.

K.R. ka planifikuar ta shesë drogën në rajonin e Shkupit, Velesit dhe Tetovës. Janë realizuar kontrolle në Shkup dhe te R.I. është gjetur rreth 50 gramë kokainë, 16 pako me kokain dhe një peshore digjitale, si dhe 46 plumba të kalibrit  22mm., përderisa te S.E. ishin gjetur rreth 700 gramë mariuhanë dhe tableta ekstazë dhe një peshore digjitale.

“Janë realizuar bastisje edhe në Strugë dhe Ohër, me ç’rast nga liria është  privuar  SH.T. (36) i cili e kishte blerë mariuhanën e konfiskuar nga Shqipëria, dhe gjithashtu në lidhje me këtë rast nga liria janë privuar edhe D.O. (62) nga Struga dhe A.I. (42) nga Ohri”, tha ai.

Janë konfiskuar edhe dy automjete, rreth 3.000 euro dhe 4.000 denarë, para të cilat janë fituar nga shitja e drogës, ndërsa nga ana e MPB-së po ndërmerren masa dhe aktivitete për identifikimin e personave tjerë të përfshirë në këtë rast.

Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, do të parashtrohet kallëzim penal deri te Prokuroria  Publike Themelore për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsion për vepër të bërë kriminale sipas nenit 215 paragrafi 3 “prodhimtari e palejuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike dhe substancave psikotrope.