Pas pesë javësh në Shtetet e Bashkuara zgjedhësit do të hedhin votat për Kongresin e ri dhe vendimi i tyre do të ketë ndikim të madh në dy vitet e fundit të mandatit të Presidentit Trump.

Po ndizet fushata për zgjedhjet e 6 nëntorit, sidomos nga opozita demokrate që shpreson të marrë nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve. Por beteja polarizuese mbi kandidatin për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh duket se i ka mobilizuar votuesit nga të dyja partitë. Të ndjekim materialin e korrespondentit Jim Malone:

Presidenti Trump bëri ditët e fundit aktivitet fushate për të rritur përkrahjen për kandidaturën e Gjykatësit Brett Kavanaugh.

“Unë nuk jam në garë, por në fakt jam, prandaj edhe kam shkuar gjithandej për këta kandidatë të shkëlqyer. E shihni çfarë po ndodh, i shihni këto grupe të ulëta, radikale demokratësh, e shihni ç’po bëhet”.

Beteja për konfirmimin e kandidatit për Gjykatën e Lartë u intensifikua javën e kaluar, me dëshmi nga akuzuesja e tij Christine Blasey Ford si dhe me mohimet e vetë Gjykatësit Kavanaugh.

“Kur më sulmoi Bretti, më ndryshoi ndjeshëm jetën. Për shumë kohë kisha shumë frikë e turp t’u tregoja njerëzve hollësi nga incidenti,” tha akuzuesja Blasey Ford.

“Ky proces konfirmimi është bërë turp i vendit. Ju e keni zëvendësuar procesin e këshillimit dhe dakordësimit në Senat me përndjekje e shkatërrim,” reagoi Gjykatësi Kavanaugh.

Ndërkohë që vendi zien për procesin e konfirmimit të gjykatësit, presidenti po përpiqet të mobilizojë bazën për t’u siguruar fitore republikanëve në zgjedhje.

“Më premtoni se do të dilni të votoni më 6 nëntor. Mos bini në vetëkënaqësi. Duhet të merrni pjesë në zgjedhjet e mesmandatit. Duhet të votoni,” tha presidenti.

Edhe demokratët janë përpjekur të mobilizojnë votuesit duke angazhuar në fushatë figura me peshë, si ish-presidentin Barak Obama:

“Njerëzit do të thonë: ‘Po pres sa të vijnë zgjedhjet presidenciale’. Por në fakt këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Janë edhe më të rëndësishme se çdo zgjedhje që kemi pasur prej një kohe të gjatë,” tha zoti Obama.

Presidenti Trump do të jetë motivuesi kryesor në këto zgjedhje, si për republikanët, ashtu edhe për demokratët, thotë analisti John Fortier:

“Ai po bën fushatë sikur do të zgjidhet vetë, megjithëse kur u zgjodh shumë veta mendonin se nuk do të bashkëpunonte me Partinë Republikane dhe kandidatët e tjerë. Por ai është angazhuar plotësisht. Në disa zona do t’i ndihmojë republikanët, por në zona të tjera mund t’i dëmtojë”.

Demokratët kanë shënuar pjesëmarrje të lartë në zgjedhje partiake dhe zgjedhje të posaçme, thotë analisti Jim Kessler:

“Parashikoj që demokratët të fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Tani madje parashikoj që mund të fitojnë edhe Senatin, megjithëse disktriktet zgjedhore janë bërë mjaft të vështira. Votuesit demokratë janë mobilizuar, por edhe ata republikanë. Por demokratët po dalin në masë për të votuar”.

Pritet që Presidenti Trump të vazhdojë aktivitetet e fushatës deri në ditën e zgjedhjeve, me shpresën për të penguar një fitore dërrmuese të demokratëve që do të kufizonte ndjeshëm punën e tij në dy vitet e ardhshme. /VoA