Shtatë agjentë të dyshuar të Zbulimit ushtarak rus (GRU) janë paditur sot, si pjesë e një fushate globale sulmesh kibernetike që iu atribuan Kremlinit dhe që u denoncuan nga disa vende perëndimore, njoftoi sot Drejtësia amerikane.

Akuzat përfshijnë veçanërisht katër agjentë rusë, dëbimi i të cilëve u njoftua të enjten nga Holanda, që i akuzon se ishin përpjekur të piratonin selinë e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë, deklaroi John Demers, zëvendës ministër i Drejtësisë i ngarkuar me Sigurinë Kombëtare.

Shtatë agjentët po ndiqen penalisht në Shtetet e Bashkuara për piraterinë e disa organeve sportive ndërkombëtare, ndër të cilat Agjencia Botërore Anti-Doping, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Federatat Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Federata e Atletikës (IAAF), Gjykata e Arbitrazhit për Sportin (CAS), si dhe më shumë se tridhjetë organe kombëtare duke përfshirë agjencitë anti-doping kanadeze dhe amerikane.