Në Shqipëri për dekada me radhë artizanët kanë ruajtur traditat, ndërsa zejet kanë qenë të përhapura pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Sot rrobaqepësit profesionistë janë të rrallë, ndërsa ky profesion po vjen gradualisht të zbehet, por ka ende nga ata që edhe pse të moshuar nuk e kanë braktisur profesionin e tyre të vjetër.

Njëri prej tyre është rrobaqepësi Mexhit Lushi, 75 vjeç, i cili prej 61 vitesh e ushtron këtë zanat pa ndërprerje, të trashëguar nga gjyshi i tij. I lindur në Tiranë, Lushi fillesat në këtë profesion i ka që në moshën 14 vjeçare, fillimisht si kapelapunues.

Lushi, duke folur për Anadolu Agency (AA), tregon për fillesat e zanatit të tij, punën gjatë regjimit komunist, si dhe jep mesazhin që të rinjtë të përkushtohen në profesione të tilla dhe të ruajnë traditat. I moshuari rrëfen se këtë profesion e nisi që në vitin 1957, në moshën 14-vjeçare dhe shprehet se atë kohë ndihej i privilegjuar me një zanat të tillë.

Në tavolinën e tij të punës i shoqëruar me mjetet e profesionit që janë që nga koha e regjimit komunist, Lushi ushtron profesionin e tij në një ambient modest, që ai e konsideron të mjaftueshëm.

Lushi tregon se gjatë regjimit komunist ai punonte në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve në Tiranë, ku ishin rreth 800 punonjës, ndërsa sot numri i rrobaqepësve në Tiranë, por edhe qytete të tjera të vendit është shumë i kufizuar, sidomos për moshat e vjetra.

“Në sistemin komunist me profesionin e rrobaqepësit mund të punoje vetëm në ndërmarrje, pasi në mënyrë private ishte e ndaluar rreptësisht, pasi dënoheshin dhe survejoheshin. Gjatë sistemit komunist kam punuar nëpër ndërmarrje në Tiranë dhe aty kisha një farë zhvillimi në profesion. Pas viteve 90-të, nëse të tjerët e lanë të gjithë profesionin unë vazhdova të punoj përsëri”, tregon Lushi.

Lushi thekson se në disa forma ilegale gjatë sistemit komunist është arritur të ruhet dhe ushtrohej ky profesion, nga ata që nuk punonin në ndërmarrjet shtetërore, sidomos duke punuar në mënyrë të fshehtë nëpër shtëpi. Edhe ai vetë pavarësisht se ishte i punësuar ka punuar edhe në shtëpi, pasi tregon se punonjës të ish-Sigurimit të Shtetit i survejonin nëse kryenin punë private. Edhe pse nuk kishte dënim me burg, për ata që punonin privatisht kishte masa të largimit nga puna nga ndërmarrjet e shtetit.

– ”Të rinjtë ta ushtrojnë këtë profesion”

Rrobaqepësi Lushi tregon më tej se “Vullneti më ka sjellë deri këtu ku jam sot. Ambienti është i vogël, por kryen nevojat që kam për profesionin, pasi merrem më shumë me riparime dhe rregullime. Duke u nisur nga shembulli im personal ju them të rinjve që ta ushtrojnë këtë profesion. Unë kisha pasion për këtë punë dhe për të siguruar të ardhmen dhe jam krenar për këtë profesion”.

Ai shprehet se historikisht artizanët kanë qenë trashëgimia e popullit shqiptar, duke trashëguar zejet brez pas brezi. Lushi në dyqanin e tij në Tiranë vazhdon të punojë me të njëjtin përkushtim si vite më parë, ndërsa shton se nuk do ta braktisë kurrë profesionin e tij.

Klientët e Mexhitit janë të shumtë në dyqanin e tij dhe i drejtohen të gjithë mjeshtër, ndërsa ka nga ata të cilët e vizitojnë vetëm për të biseduar me të rreth profesionit të tij.

Në Shqipëri për dekada me radhë artizanët kanë ruajtur traditat, ndërsa zejet kanë qenë të përhapura pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Sot rrobaqepësit profesionistë janë të rrallë, ndërsa ky profesion po vjen gradualisht të zbehet, por ka ende nga ata që edhe pse të moshuar nuk e kanë braktisur profesionin e tyre të vjetër. Njëri prej tyre është rrobaqepësi Mexhit Lushi, 75 vjeç, i cili prej 61 vitesh e ushtron këtë zanat pa ndërprerje, të trashëguar nga gjyshi i tij. ( Olsi Shehu – Anadolu Agency )