Cipras e zgjodhi Kamenos, është komenti i partive opozitare greke pas dorëheqjes së Nikos Koxiasit.

Kryetari i Demokracisë së Re, thotë se kryeministri grek ka zgjedhur ta largojë mbështetësin më të fuqishëm të Marrëveshjes së Prespës dhe ta mbajë atë që kundërshton.

Lideri i partisë Potami, komenton se dorëheqje ka dhënë ai i cili e shpreh linjën qeveritare, përderisa kryetarja e Lëvizjes së ndryshimit thotë se Cipras dhe Kamenos dorë për dore shkojnë drejt humnerës.

“E largoi njeriun i cili ishte mbështetësi më i madh i marrëveshjes dhe në të njëjtën kohë në qeveri e mbajti Kamenos, i cili me guxim ka deklaroi se këtë marrëveshje nuk e dëshiron, nuk e mbështet dhe nuk ka shanse në asnjë rast të pajtohet të votojë për të”, tha Micotakis nga Brukseli dhe shtoi se “Cipras nuk është vetëm shtyllë, por edhe kryeministër i shantazhuar”.

Njëherit, kryetari i Demokracisë së Re porositi se vendit i duhet “qeveri stabile dhe të vendosur e cila do të flasë me një zë edhe në brendësi edhe nga jashtë”.

“Midis Koxias-Kamenos, Cipras e zgjodhi Kamenos. Peng i ministrit të Mbrojtjes, i cili u emërua në zëvendëskryetar shumë të fuqishëm të qeverisë. Paralajmërimet se nuk do të tolerojë vota të dyfishta, duken tërësisht qesharake kur vetë shprehësi i votave të dyfishta mbetet në pozitën e tij dhe jep dorëheqje shprehësi i linjës qeveritare”, ka shkruar lideri i partisë Potami, Stavros Teodorakis në Tuiterin e tij zyrtar.

“Dorëheqja e Koxias e konfirmon krizën që e minon koalicioni qeveritar. Cipras e ka bërë përzgjedhjen e tij. Dorë për dore me Kamenos shkojnë drejt humnerës. Por, nuk do ta marrin edhe vendin me vete”, tha liderja e Lëvizjes së ndryshimit, Fofi Genimata.