Në një raport të publikuar sot për skllavërinë e ditëve moderne, Salvation Army në Britaninë e Madhe ka bërë të ditur se është shtuar numri i njerëzve të skllavëruar në Britani si ndër radhët e vendasve, ashtu edhe të huajve dhe shifrat e frikshme vijnë veçanërisht për femrat shqiptare, të skllavëruara në dy mënyra.

Sipas raportit, “trafikantët e qënieve njerëzore në Angli po përdorin gjithnjë e më shumë drogë dhe alkol si mjet për të kontrolluar dhe detyruar me forcë burra dhe gra britanike në punë skllavëruese dhe shfrytëzim seksual brenda vendit,  njoftoi Salvatian Army.

Shifrat nga organizata bamirëse tregojnë se këtë vit ata kanë pasur një dyfishim të numrit të britanikëve që po hyjnë në shërbimet e tyre ligjore të mbështetjes pasi u identifikuan si viktima të skllavërisë nga qeveria. Shumë prej tyre ishin të pastrehë dhe kishin varësi ekzistuese të drogës dhe alkoolit që i kishin bërë ata një objektiv për trafikantët, të cilët e përdornin varësinë e tyre për t’i detyruar në punë të detyruar, prostitucion, shitje droge ose lypje me detyrim.

Kathy Betteridge, drejtore e anti-trafikimit dhe skllavërisë moderne për Salvation Army tha se megjithëse shifrat ishin ende të ulëta krahasuar me viktimat e trafikimit nga kombësitë e tjera, 86 britanikë iu drejtuan shërbimeve të tyre nga qershori 2017 deri në korrik 2018, dukuria ishte në rritje dhe shqetësuese.

Ndërsa, nga kombësi të tjera,  kanë qënë 1856 viktima të skllavërisë që iu drejtuan për ndihmë Salvation Army brenda një viti, nga korriku 2017 deri ën korrik 2018. Shumica, 45% kishin përjetuar punë të detyruar, 42% ishin shfrytëzuar seksualisht dhe 14% ishin në robëri shtëpiake. Grupi më i madh ishte ai i femrave shqiptare, që kishin qënë të trafikuara për shfrytëzim seksual nga grupet kriminale,” theksohet në raport/SYRI.NET