Lionel Messi nuk dëshiron të largohet nga Barcelona dhe e ndan dëshirën e klubit që t’i përkasë vetëm këtij klubi, sipas presidentit Josep Maria Bartomeu.

Në vitet e fundit është spekuluar se ikona e kohës moderne mund të joshet larg “Camp Nou”, në mënyrë që përjetojë përvojë të re para se t’i varë këpucët, transmeton Gazeta Express.

Legjenda argjentinase, megjithatë, ia ka përkushtuar të ardhmen Barcelonës duke e zgjatur kontratën vazhdimisht dhe së fundmi e zgjati atë deri më 2021.

Messi do të jetë 34-vjeçar në kohën kur kontrata t’i skadojë, edhe pse sipas të gjitha gjasave Barça do t’i ofrojë përsëri zgjatje para se ajo t’i mbarojë.

Presidenti i gjigantit katalonas Bartomeu ka lënë të kuptohet kështu, së paku, duke thënë se klubi dhe lojtari janë të etur të sigurohen se karriera e tij e shquar profesionale të vazhdojë në Katalonjë aq gjatë sa të jetë e mundur.

“Messi nuk dëshiron të largohet”, tha ai për The Times.

“Ne gjithmonë i themi atij se mund të jetë njeri i një klubi. Ky është edhe qëllimi i tij”, shtoi ai.

Messi është pjesë e Barcelonës që prej moshës 13-vjeçare.