Mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba, ka thënë se edhe pse nuk e mban shiritin e kapitenit në Kombëtaren e Francës, ai shprehet si lider në atë skuadër pasi që këtë mundësi ia kanë dhuruar bashkëlojtarët e tij francez.

Pogba kishte triumfuar me Kombëtaren e Francës në turneun e Kupës së Botës gjatë verës në Rusi, por që nga atëherë ai është përballur me kritika se nuk performon në të njëjtën mënyrë edhe për klubin e tij, përcjell Gazeta Express.

Spekulohej se ai kishte dëshiruar të largohej nga “Djajtë e kuq” gjatë verës për shkak të marrëdhënieve të këqija me trajnerin Jose Mourinho. Pogba i ka kritikuar publikisht taktikat e përdorura nga portugezi dhe ai i është përgjigjur duke ia marrë shiritin e zëvendëskapitenit.

Për më tepër, disa javë më parë Sky Sports News e kishte publikuar një video ku shihen Pogba dhe Mourinho duke u fjalosur në mes vete, dhe tani raportohet se Pogba dhe disa yje të tjera të skuadrës së Manchester Unitedit dëshirojnë të largohen nga klubi nëse Mourinho nuk shkarkohet.

Përkundër që nuk është kapiten as në Kombëtaren e Francës e as në Manchester United, Pogba ka bërë të ditur se ai do të vazhdojë ta shprehë veten si lider, pasi që sipas tij këto dy pozita mund të jenë edhe të ndara.

“U gëzova shumë kur dëgjova se Adili kishte thënë se unë jam lider. Unë nuk do të thosha kurrë se jam unë, por është skuadra që më ka vënë në këtë pozitë, që më ka dhënë lirinë për ta shprehur veten. Gjithashtu, ata më dhurojnë edhe vetëbesim”, ka thënë Pogba.

“Nuk mund ta kisha bërë pa ta. Gjithçka filloi kështu, nga kampi i stërvitjeve. Unë bisedova me Hugo Llorisin, Blaise Matuidin, Raphael Varanen, dhe u thashë se në këtë Kupë të Botës ne duhet të japim gjithçka për të fituar. Isha me të vërtetë i vendosur për këtë gjë”.

“Në moshën time, si 25-vjeçar, unë jam mes dy grupeve të lojtarëve, të vjetërve dhe të rinjve. Kjo ma mundëson të jap mesazhe të cilat kanë mundësi të dëgjohen dhe të ndikojnë te të gjithë”.

“Unë thosha atë që e ndieja, dërgoja mesazhe dhe i kaloja ato nga lojtarët më të vjetër te ata më të rinj. Ju mund të thoni se unë isha ndërmjetësi mes tyre. Unë kurrë nuk kam luajtur në skuadrën e Francës për t’u bërë kapiten, të jem këtu është mjaftueshëm për mua”.

“Nuk është e nevojshme të jesh kapiten për të dhënë fjalime, një lider nuk është patjetër personi që e mban shiritin e kapitenit. Si lider, ti mund të flasësh në fushë, por unë kam parë edhe liderë të cilët nuk flasin”

Loading...