Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës ka shpërthyer me akuza e kundëakuza ndërmjet pozitës e opzitës.

Derisa po zhvillohet dialogu për bisedimet me Serbinë, ka shpërthyer edhe përplasja ndërmjet partive opozitare, shkruan Gazeta Express.

Pasi ka folur Molliqaj, kanë reaguar Avdullah Hoti i cili ka thënë se PSD-ja ka kaluar në anën e Qeverisë. Ndaj kësaj ka reaguar Hoti, i cili ka thënë se nëse jeni për rrëzimin e Qeverisë “ejani e rrëzojmë” duke u tallur me kthimin e VV-së dhe LDK-së në Parlament e cila ndodhur pas vizitës së diplomatit amerikan Matthew Palmer në Prishtinë.

Konjufca, po ashtu, ka reaguar duke thënë se qëndrimet e PSD-së janë të ngjashme me të pushtetit.

Gjithë këto kundërreplika kanë ardhur pas fjalës së deputetit të PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai ka folur për rezolutat e pozitës dhe opozitës për dialogun me Serbinë, duke thënë se të dyjat nuk dallojnë fare me njëra-tjetrën.

Sipas tij, partitë politike kosovare nuk kanë probleme me qëndrimet ndërmjet vete, por me qëndrimin e presidentit Hashim Thaçi.

“Për gati katër muaj ka qenë një kërkesë që dialogu të kthehet në Kuvend dhe për këtë nuk ka pasur gatishmëri dhe vullnet. Partitë politike në Kosovë nuk kanë dallime në mes vete sa i përket çështjes së dialogut. Por kanë probleme me qëndrimin e presidentit. Partitë s’kanë fare dallim”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka folur edhe për mungesën e votave në të dyja taborët.

“Pushteti nuk i ka votat me shku në dialog vetë, sepse Lista Serbe nuk e voton ekipin negociator, prandaj pushteti po e lutë opozitën sot. Para katër muajve nuk na kanë lutë, se kanë mendu që nuk iu vyjmë për shkak të arrogancës së pushtetit kemi ardhë deri këtu”, ka shtuar tutje.

Sipas tij, Kosovës i duhet një platformë për dialogun dhe jo rezoluta.

“Kosova nuk ka nevojë për rezolutë. Kosova sot ka nevojë me mrri me ndërtu platformë për dialogun. Dallimi sot është se dikush do zgjedhje para dialogut, e dikush pas dialogut. Nëse opozita i krijon numrat për me e rrëzu Qeverinë, ditën që i bon duhet me e rrëzu. Por në momentin që nuk i kemi votat, dialogu duhet të vazhdojë”, ka vazhduar Molliqaj.

Molliqaj, gjithashtu, ka sulmuar edhe dy partitë opozitare, LDK-në dhe Vetëvendosjen.

“Unë nuk e kuptoj frikën prej Hashim Thaçit. I ka bo shumë dëm vendit. E ka përçare klasën politike. Por kurrë opozita nuk ka qenë ma e fortë. E unë po tutna që kolegët e mi opozitarë po i tuten më shumë vetes sesa Thaçit, sepse po kanë frikë se çfarëdo arrihet në Bruksel duhet ta votojnë. Rezoluta e LDK-së dhe VV-së nuk ka kurrfarë efekti. Pushteti nuk mundet pa ne, ne nuk i kemi votat e mjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë”, është shprehur Molliqaj.

Ai ka drejtuar edhe kritika ndaj ish-partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e kanë quajtur PSD-në si patericë të pushtetit.

“Nëse ne jemi patericë e pushtetit, dikush është patericë e Zajednicës së Isa Mustafës”, ka përfunduar Molliqaj.