Një person ka vdekur dhe katër të tjerë janë lënduar në një aksident që ka ndodhur rreth orës 01:50 të ditës së sotme në fshatin Bec të Gjakovës.

Sipas Policisë Rajonale të Gjakovës, në vendin e ngjarjes kanë gjetur automjetin e tipit “Golf 2”, ku brenda tij kanë qenë 5 persona.

Në raportin e Policisë, thuhet se aksidenti kishte ndodhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë nga ngasësi i automjetit, i cili kishte humbur kontrollin dhe ishte përplasur në shtyllën elektrike të betonit. Në këtë rast viktima është E.I., i lindur më 1999.

Lajmin e konfirmoi edhe zëdhënësja e Policisë së Gjakovës, Lirije Podrimja.

Sipas Policisë, pas daljes së mjekut kujdestar në vendin e ngjarjes, ngasësi ishte gjetur pa shenja jete.

Ndërsa 4 personat e tjerë janë dërguar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetë, ka njoftuar Podrimja, raporton “kallxo”.

Me urdhër të prokurorit dhe me kërkesë të familjarëve, trupi i pajetë i është dorëzuar familjes dhe nuk është dorëzuar në autopsi.