Të dhënat për shkallën e varfërisë që sot i publikoi Enti Shtetëror për Statistikë, janë tregues për domosdoshmërinë e ndryshimeve urgjente të politikave destruktive të pushtetit paraprak dhe dëshmi se reformat sociale që i bënë kjo Qeveri janë në drejtimin e duhur, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Shtojnë se, mes tjerash, për 300 për qind e kanë rritur asistencën sociale përmes vendosjes së të ardhurave të garantuara sociale, ndërsa e lehtësojnë qasjen në realizimin e kësaj të drejte.

“Kemi përgatitur reformë thelbësore të sistemit social dhe kujdesit për fëmijët. Në këtë mënyrë ofrojmë zgjidhje efektive dhe afatgjata dhe luftojmë me varfërinë në Maqedoni. Enti Shtetëror i Statistikës i publikoi sot të dhënat nga sondazhi i Laeken, sipas të cilës shkalla e varfërisë në Republikën e Maqedonisë në vitin 2017 ka qenë 22.2 për qind, ndërsa si për llogaritjen e varfërisë   janë përdorur të ardhurat nga viti 2016. Ky është një tjetër tregues i domosdoshmërisë të ndryshimeve urgjente të politikave destruktive dhe dëshmi se reformat sociale që i bënë kjo qeveri janë në drejtimin e duhur”, theksohet në kumtesën e  Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

Me reformat e reja, shtojnë nga MPPS, të cilat fillojnë nga viti i ardhshëm asistenca sociale rritet për 300 për qind, gjegjësisht 70 për qind prej shfrytëzuesve do të marrin asistencë më të lartë sociale.

Nga Ministria potencojnë se gjithashtu e hapin sistemin social edhe për personat me të ardhura të ulëta, siç thonë nuk ka qenë rast deri më tani.

Me reformat në sistemin social dhe kujdesin për fëmijët stimulohen ndryshime të mëdha shoqërore, rezultatet e të cilave do të kontribuojnë në rritjen e standardit dhe cilësisë së jetesës të qytetarëve tonë.

Sondazhin për të ardhurat dhe kushtet e jetesës Enti Shtetëror për Statistikë e zbaton në pajtim me rekomandimet e Bashkimit Evropian. Sipas sondazhit të publikuar vitin e kaluar, shkalla e varfërisë në vitin 2016 ka arritur 21.9 për qind, ndërsa bazë e llogaritjes janë shfrytëzuar të dhëna për të ardhurat nga viti 2015.