Ndjekja e rrjedhave globale, trendeve dhe ndryshimeve në arsim, përveç sigurimit të qasjes së barabartë dhe mundësive arsimore për çdo individ, paraqet edhe  investim të vazhdueshëm në cilësinë e procesit arsimor përmes të cilit të rinjtë do të fitojnë shkathtësi dhe aftësi, që do t’u përgjigjen kërkesave të iniciuara nga lëvizjet dinamike të tregut të punës. Kështu vlerësoi, ministri i Arsimit dhe Shkencës, dr. Ademi gjatë punimeve të Konferencës Ministrore, që zhvillohet në Beograd të Republikës së Serbisë, me temën “Vizioni i bashkëpunimit rajonal për formim dhe arsim cilësor”. Republika e Maqedonisë, sikurse plotësoi më tej ai, ka miratuar Strategjinë e arsimit 2018-2025, e cila i përcakton qartë sfidat dhe prioritetet, të cilat do të jenë në fokus të angazhimeve gjatë periudhës në vijim.

Strategjia në fjalë, tha më tej ministri Ademi, garanton standarde më të larta për cilësinë e arsimit, mban parashenjën evropiane dhe presim që në mënyrë të konsiderueshme të kontribuojë në procesin e integrimit të sistemit arsimor të Maqedonisë në hapësirën arsimore evropiane, si dhe do të ndikojnë edhe në rritjen e konkurrencës. “Jemi të vetëdijshëm për nevojën për të përmirësuar efikasitetin e politikave, duke i ndjekur rezultatet nga pjesëmarrja në studimet ndërkombëtare TIMSS dhe PISA. Në këtë drejtim kemi ndërmarrë aktivitete dhe jemi pjesë e cikleve të reja të testimeve PISA dhe TIMSS, si dhe PIRLS”, ka shtuar ai.

Ademi i ka njoftuar kolegët nga rajoni edhe për përcaktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për revizionin sistematik të kornizës ligjore, si rezultata i së cilës muajt e fundit ka pasur aktivitete për ndryshimin e disa ligjeve arsimore. “Është hartuar draft/versioni i ri i Ligjit të arsimit fillor, i cili përmban dispozita që nënkuptojnë ndryshime në procesin mësimor, në statusin dhe të drejtat e mësuesve në shkollat fillore, si dhe do të ketë ndryshime në përforcimin e vlerave themelore kushtetuese në procesin arsimor. Ligji do të mundësojë arsim cilësor për nxënësit dhe kushte më të mira për mësuesit”, ka sqaruar ministri duke theksuar se në Maqedoni ka nis zbatimi edhe një reformë gjithëpërfshirëse e arsimit të mesëm profesional.

Kjo reformë, nënvizoi Ademi, përfshinë ndryshimin dhe modernizimin e programeve mësimore në bashkëpunim me komunitetin e biznesit dhe me punëdhënësit, por edhe rritjen e orëve të mësimit praktik nga ana e nxënësve. Programet e reformuara mësimore, sikurse theksoi ministri janë modulare, të bazuara në kompetenca dhe të shprehura me poenë kreditorë ESVET, që është posaçërisht e rëndësishme për rritjen e lëvizjes dhe perspektivën e arsimit të mesëm profesional.

Duke u ndalur në reformat në arsimin e lartë, ministri vërejti se “sigurimi i autonomisë së universiteteve u kthyen në rrugën e drejtë“. Sepse, qëllimi kryesor i këtyre reformave është të mundësojë përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e modelit më të mirë për financimin e institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë.