Më shumë se tre orë ndihmës-komandanti  në Njësinë për sistemim të shpejtë sot dëshmoi në Gjykatën Penale në Shkup për ngjarjet në  Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të vitit 2017.

Aleksandër Vasilevski -Ninxha, i cili është një nga të akuzuarit për ngjarjet në Kuvendin e 27 prillit të vitit të kaluar, në pyetjet e tërthorta kërkoi nga dëshmitari Vllatko Naumovski të përgjigjet se a kishte në turmën e cila me dhunë tentonte të hyjë në Parlament kolegë nga Njësiti për sistemim të shpejtë dhe policia sekrete. Naumovski tha se kishte parë pjesëtarë të NSSH, por se nuk e di për pjesëtarë  të  policisë sekrete.

“Kur komunikova me një kolegë të NSSH mu afrua një person i cili ma largoi telefonin përderisa bisedoja. I thashë që të largohet sepse me vetë procedurën e tij e tërhoqi vëmendjen e protestuesve të cilët mu vërsulën mua”, tha dëshmitari.

I pyetur se personi i cili e kishte shtyrë është gazetar ose pjesëtarë i policisë sekrete, dëshmitari tha se nuk e njeh.

Paraprakisht,  dëshmitari Naumovski tha se më 27 prill kishte shfrytëzuar ditën e lirë dhe kishte dalë për ndejë me kolegë.

“Rreth orës 18:30 mu lajmërua komandanti Marian Petkovski dhe më informoi  se në momentin e protestës para Kuvendit vazhdon  shkelja e rendit dhe qetësisë publike  dhe i njëjti më tha se nëse kam mundësi sa më shpejtë që është e mundur të shkoj në vendin e ngjarjes dhe ta informoj për situatën atje dhe t’iu ofroj ndihmë kolegëve atje”, tha dëshmitari.

Theksoi se ishte i veshur me veshje sportive dhe së bashku me një koleg ishte drejtuar që ta gjejë përgjegjësin Goran Zgonc, përgjegjës në NSSH për sigurimin e protestës atë ditë dhe të koordinohet.

“Me vetë arritjen time tashmë një pjesë e masës e cila protestonte i kishte kërcyer rrethojat mbrojtëse dhe kordonin dhe u drejtuan drejtë hyrjes kryesore. Paraprakisht komandanti më informoi që të kontaktoj me Zoran Stamçevskin, përgjegjës për sigurinë e përgjithshme në protestë. Masa tashmë ishte  para hyrjes kryesore dhe me dhunë tentonte të hynte. Për këtë e informova Marjan Petkovskin”, tha dëshmitari.

Tha se kishte pranuar thirrje edhe nga Mitko Çavkov, të cilin e kishin informuar për tentimin e turmës që të hyjë.

“Pranova indikacione që ta ndjek situatën dhe të ndërmarr masa në lidhje me situatën e shkaktuar. I thashë se ka hyrje të vazhdueshme të protestuesve dhe se kërkoj përforcim sepse sipas vlerësimit tim me forcat të cilat ishin sistemuar nuk do të mund të menaxhojmë me shkeljen”, tha dëshmitari.

Diku para orës 19:00, siç theksoi ai, nga të gjitha anën vinin masë e protestuesve, të cilët u drejtuan edhe drejt pjesës perëndimore të Kuvendit, ku ka pasur gjithashtu tentim për hyrje të dhunshme.

“Unë bëra rigrupim dhe një pjesë të forcave i sistemova në atë hyrje”, tha Naumovski dhe shtoi se kur më ka hyrë turma e ka informuar Mitko Peshev dhe ai e ka orientuar për të hyrë dhe të vendos rend në Kuvend.

Gjatë tërë kohës, siç theksoi, ka pasur rrjedhë konstanre të qytetarëve në Kuvend, ndërsa kolegët të cilët mbetën në bllokadë në hyrjet nuk kanë mund t’i pengojnë hyrjet.

“Ishin të dhunshëm dhe ka pasur kolegë të lënduar”, tha dëshmitari dhe shtoi se tërë kohën ishte jashtë me përgjegjësin Zoran Stamçevskin dhe i kanë koordinuar aktivitetet në teren.

Theksoi se ka marrë informacione se në pres-sallën ku ka pasur deputetë po ndodh prishje e madhe e rendit dhe qetësisë publike.

“Për të njëjtën përmes telefonit i informova gjeneralin Mitko Peshov dhe drejtorin Mitko Çavkov dhe të njëjtët më udhëzuan me të gjitha forcat e disponueshëm t’i çoj drejt pres-sallës dhe sallën numër 3 ku për momentin kishte prishje të madhe. Të njëjtën e bëra dhe i dha udhëzime Goran Zgonc të drejtohet menjëherë drejt pres-sallës. I njëjti vazhdimisht më ka informuar se ka hasur në rezistencë të madhe nga demonstruesit në tentimin për të arritur deri tek lokacioni dhe se ka pjesëtarë të lënduar, pas çka nga unë i është dhënë urdhër të përdorë mjete për forcë me qëllim që të vijë deri tek lokacioni”, tha dëshmitari

Tha se nga Zgonc ka marrë informacione për deputetët, gazetarët dhe kolegët e lënduar në pres-qendrën.

“Atëherë nga pjesa e pasme e Kuvendit nga hyrja e garazheve provova të hyj në Kuvend. Mendoj se ajo ishte rreth orës 20:00. Kur hyra në korridor para pres-sallës pash disa policë të lënduar dhe e pash intervenimin që veç më është zbatuar nga kolegët”, tha dëshmitari.

Është përfshirë në intervenimin dhe ka përpunuar plan për korridor për evakuim të personave në pres-sallën, i rigrupoi forcat të cilat erdhën për ndihmë për të bërë bllokadë në derën që çon nga kabineti i kryetarit deri në korridorin ku bëhet intervenimi.

“Përmes telefonit e informova Çavkovin për situatën brenda dhe kaosin që po mbizotëronte, ai më urdhëroi me të gjitha mjetet dhe forcat të vazhdojmë dhe të hyjmë në pres-qendrën dhe të ofrojmë ndihmë. Turma ishte e dhunshme dhe në një moment përdori aparat kundër zjarrit. Nga drejtori kërkova të përdorim shok-bomba dhe mora leje. Me përdorimin, turmën e frikësuam dhe hymë në pres-sallën. Brenda ishte i lënduar kolegu Aco dhe disa deputetë, gazetarë… Përmes korridori paraprakisht të krijuar arritëm t’i nxjerrim”, tha dëshmitari.

I dislokuan në njërën prej zyrave në katin e parë, që paraprakisht ishte e sigurt. Theksoi se rëndë të lënduar ishin disa kolegë të tij, ndërsa ai ka marrë goditje në pjesën e kokës, trupit, dorës, këmbës…

Në derë, si barelë e improvizuar, është sjellë edhe deputeti Zijadin Sela pa ndjenja. I është ofruar ndihmë nga një person mjekësor, që ka thënë se nëse urgjentisht nuk dërgohet në spital ka rrezik rreth jetës së tij.

“Për këtë i kam informuar me radiolidhje se nga dalja “Vinar” do të provojmë ta nxjerrim. Kemi bërë përpjekje, por vetëm sa e kemi hapur derën  grupi është rritur dhe kemi qenë të detyruar të qëndrojnë brenda. Pas një kohë në radiolidhje kam dëgjuar se si rigrupohen forcat me qëllim që të hyjnë në objekt dhe të na ofrojnë ndihmë”, tha dëshmitari.

Në rrëfimin e tij ai theksoi se pas orës 21 me përdorimin e shok bombave dhe mjeteve për dhunë kanë depërtuar deri te ai brenda.

“Pastaj me orientime të komandantit kemi kryer rigrupime të forcave dhe me siguri pas konsultimit me dikë nga shtabi kemi marrë urdhër të bëjmë përgatitje për evakuim të deputetëve dhe personave zyrtarë brenda. Ndërkohë kanë arritur më shumë kolegë nga NSSH, Tigra dhe nga Njësiti për trajnim dhe mbështetje. Kemi hartuar plan për evakuim me bllokim paraprak të hapësirës nga dere e prapme për evakuim nga garazhet. Mendoj se diku rreth orës 22 kemi filluar me evakuim të personave”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e avokatit të Mitko Çavkovit, dëshmitari tha se nuk e di saktë se kur është dëgjuar me Çavkovin, or kjo ka qenë para orës 19.

“Saktë nuk mund të kujtohem sa biseda i kemi pasur, por kemi qenë në komunikim”, tha dëshmitari.

Pasdite pas pauzës, si dëshmitarë janë thirrur edhe Marijan Petkovski, Goran Gjorgjievski dhe Sasho Tërpevski.

Për ndodhitë në Kuvend më 27 prill të vitit 2017 akuzohen 33 persona, 31 nga të cilët përgjigjen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues të shtetit, ndërsa dy për nxitje.

Mes të akuzuarve më shumë janë deputetë, të punësuar në MPB dhe sigurim në Kuvend, aktorë dhe qytetarë. Ata para gjyqit thanë se e kuptojnë akuzën, por nuk ndjehen fajtorë.

Në bankën e të akuzuarve në gjykatë janë Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Mitko Çavkov Mitko Peshovski, Dushko Llazarov, Goran Joshevski – Levi Oliver Popovski, Oliver Radullov, Sasho Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Elena Docevska – Bozhinovska, Ivan Cvetanovski Boris Damovski, Bogdan Ilievski – Betmen, Vllado Jovanovski, Igor Durllovski, Stefan Mladenovski, Mihail Mlladenovski, Zakaria Simovski, Mladen Dodevski, Jane Çento, Goranço Angellovski, Igor Jug, Ilia Sllaveski, Vlatko Trajkov, Viliam Mihajllovski, Nikolla Mitrevski – Koljo , Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe Mitre Pitropovski.