Prej nesër do të mbyllet kompleksi “Fshati maqedonas”, investim prej 6.5 milionë eurove në Nerez të Shkupit, ndërsa ka qenë nën koncesion të ish-kryetarit të Komunës Qendër Vlladimir Todoroviq, përmes firmave të tij “Tineks” dhe “Kuins”.

Vendimin për mbyllje e ka sjellur menaxhmenti i kompleksit, të cilin e kanë publikuar në rrjetet sociale, ndërsa Todoroviq nuk ka dhënë detaje për këtë vendim, përcjell Telegrafi Maqedoni. “Ju informojmë se menaxhmenti i kompleksit “Fshati maqedonas” ka sjellur vendim për mbylljen e kompleksit dhe i njëjti do të ndalojë së punuari prej 18.10.2018 (e enjte). Ju falënderojmë për gjitha momentet e përbashkëta, kujtimet e bukura dhe vizitat gjatë viteve të kaluara”, thuhet në postimin në Facebook.

Todorovi për fshatin etnik ka paguar koncesion prej 3.500 eurove pa TVSH.

Kompleksi “Fshati maqedonas” është investim i qeverisë në vlerë prej 6.5 milionë euro. Ndërtimi ka kushtuar 5.2 milionë euro, për rregullim të brendshëm janë harxhuar 1.3 milionë euro, 24 milionë euro kanë kushtuar elektromobiljet të cilat kanë shërbyer për bartjen e valixheve të mysafirëve, 4.200 euro kanë kushtuar shenjat për udhëzime, ndërsa 2.700 euro kanë kushtuar kontejnerët dhe shportat për mbeturina.

Para se Todoroviq ta fiton koncesionin, qeveria nënshkruajti marrëveshje me kompaninë “Trend” e cila duhej të paguante 2 mijë euro në muaj, ndërsa marrëveshja u ndërpre me kërkesë të kompanisë, por asnjëherë nuk u treguan arsyet.