Mbrojtësi spanjoll i Real Madridit, Nacho, e ka pranuar se klubi do të dëshironte ta kishte yllin portugez, Cristiano Ronaldo, në skuadër përsëri, megjithatë i ka uruar atij fat me skuadrën e tij të re, Juventusin.

Golashënuesi më i mirë i skuadrës, Cristiano Ronaldo, u largua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës për t’iu bashkuar skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, pas shitjes së tij, klubi madrilen nuk e konsideroi si të nevojshme ta transferonte një lojtar për ta zëvendësuar Ronaldon. Ky vendim tani po rezulton të jetë i gabuar pasi që Real Madridi nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në katër ndeshjet e fundit.

Tri nga këto katër ndeshje, Real Madridi ka pësuar humbje, përfshirë këtu edhe disfatën në La Liga me rezultat 1-0 kundër Deportivo Alavesit. Këto tre pikë të humbura e kanë shtuar edhe më shumë presionin mbi trajnerin e skuadrës, Julen Lopetegui.

“Është një temë e vështirë për ne. E kam thënë këtë gjë disa herë. Nëse do të varej nga ne, ne do të donim ta kishim Cristianon në skuadër sepse e kishim për shumë vite me radhë dhe ai është një lojtar që e bën diferencën gjatë ndeshjeve”, ka thënë Nacho.

“Por, kjo është një situata kur ne nuk m und të ndihemi keq për veten për shkak të Cristianos. Ai zgjodhi të largohej. Ne jemi mirënjohës për gjithçka që ka bërë për ne dhe i urojmë atij gjitha të mirat”.

“Por, ne nuk mund të ndihemi keq për shkak të dikujt që nuk është më me ne. Nuk është faji ynë që ai u largua, dhe as nuk varej nga ne që ai të qëndronte. I uroj atij shumë fat, ndërsa ne duhet të punojmë për të tashmen dhe të ardhmen në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Titujt fitohen me lojtarët që ke në skuadër. Kur ishim duke fituar në fillim, gjithçka dukej mirë, ndërsa tani situata nuk është e njëjtë. Por, ne duhet të rrimë të qetë dhe t’i ruajmë analizat deri në fund të sezonit. Megjithatë, kemi shumë besim në lojtarët e skuadrës sonë”.

Loading...