Marcello Lippi beson se Juventus “është favorit nga shumë bastore që ta fitojë Ligën e Kampionëve ashtu sikurse janë Bayern Munich, Barcelona, Liverpool dhe PSG”

Ish trajneri i Juventusit dhe Italisë është shpërblyer me Shputën e Artë, një çmim ky që jepet për kontributin e tij në botën e futbollit.

“Kurrë nuk lodheni së fituari trofe, por kemi disa të tilla që kur të vijnë në fund të karrierës dhe e krahasoni vetën më të tjerët, ju bëjnë krenar”, ka thënë fituesi i Botërorit 2006 për TMW.

Skuadra e tanishme e Juves është në krye të Serie A ku ka fituar Skudeton për shtatë herë me radhë dhe prin e qetë edhe në grupin e saj në Ligën e Kampionëve.

“Cristiano Ronaldo është një bonus që i është shtuar skuadrës së Juventusit, por niveli në përgjithësi i skuadrës është shumë i lartë për momentin. Mendoj se ata janë favorit për Ligën e kampionëve po aq sa janë sivjet edhe Bayern Munich, Barcelona, Liverpool dhe PSG. Jam mësuar ta shoh Juven një hap prapa, por tani janë në të njëjtin nivel”.

“në Serie A, vetëm Napoli dhe Interi mund ti shkaktojnë atyre pak probleme, por në fund të ditës ata nuk do të jenë në gjendje që ta ndalin Juven për Skudeton e radhës”.