Para dy ditëve ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Koxias, në një intervistë për një TV të Greqisë si fajtore për mossuksesin e referendumit ka apostrofuar edhe Lëvizjen BESA. Përveç që kjo nuk është e denjë për një ministër të Jashtëm, sepse Lëvizja BESA – si parti qeveritare, ishte e organizuar me gjithë kapacitetin e saj për ta mbështetur referendumin dhe në të gjitha zonat ku ajo ka vota, referendumi ka kaluar shifrat mbi 50%, kjo flet edhe për joseriozitetin e diplomacisë greke, që i përdor spekulimet mediatike dhe shpifjet e kundërshtarëve të brendshëm politikë në Maqedoni për të ndërtuar qëndrime diplomatike.

Lëvizja BESA sot do ia dërgojë një notë proteste edhe Ambasadës së Greqisë në Shkup, ku do të kërkojë që ministri Koxias të kërkojë falje ose të ofrojë dëshmi se si mund të interpretohet vërtetësia e deklaratës së tij. Nëse u referohemi numrave, duhet të pyesim se me çfarë ndikimi të jashtëm janë Kërçova dhe Struga, ku Besa nuk pretendon se ka votë të konsoliduar, e që kanë pësuar fiasko në daljen në këtë referendum?

Sidoqoftë, Lëvizja BESA uron që ky skandal i kreut të diplomacisë greke të mos ndikojë në momentin historik të aplikimit të Marrëveshjes së Prespës, ndërsa – pavarësisht këtyre spekulimeve, BESA do të mbetet e përkushtuar në agjendën euro-atlantike dhe do ta ndihmojë procesin e implementimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.