Bashkim Aliu

Mbaroi fushata e referendumit të shumëpritur në IRJM, dhe me të përfundoi edhe sfilata e slloganeve pompoze dhe retorikës së rrejshme proevropiane dhe proNato, ngase me të shiquar, kush bërtiste NATO, NATO, e kupton sa është sahati, pa të treguar askush. Ata të cilët u dukën shumë të kallur pas NATO-s dhe BE-së, duket se e kanë patur vetëm gajlen e vetvetes dhe askujt tjetër, ngase tërë të zezat që i kanë bërën gjatë kohës sa kanë qenë edhe në pushtet, por edhe në opozitë, herë me të majtët e herë me të djathtët, herë me Evat e herë me Skiat, ua ka marrë mendja se duke bërtitur për NATO dhe BE, dhe duke u treguar “më katolik se Papa” për BE-në dhe NATO-n, do të arrijnë dyqish të amnistohen. Mirëpo, përfundoi fushata, përfundoi edhe referendumi ashtu edhe siç është paramenduar të përfundoj edhe nga “më optimistët” e lene më nga më pesimistët, dhe ngelën hallet, dertet dhe problemet e shumta të pazgjidhura të popullit, me një dallim se fluksi i kërkesave për viza pune në Gjermani, me siguri,  është shtuar, dhe numri i të rinjve nëpër qytetet dhe fshatrat tona, gjithnjë e më tepër bie, për shkak se i boshatisin dhe e marrin rrugën e gubetit, sallat e ligjëratave nëpër fakultete duken gjithnjë e më të shprazta, e me këtë edhe më të zymta. Por disave ua janë shtuar edhe hallet, ngase Ktica Janeva u është vënë pas, dhe fill pas përfundimit të referendumit, në kohën e bisedave për dërgimin në kuvendin e IRJM të marrëveshje së Prespës dhe hapjen debatit për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, Prokuroria Speciale Publike hapi hetime të reja, ku janë të përfshirë edhe disa shqiptarë të cilët mbajnë poste të larta qeveritare dhe partiake.

Këtu nuk kemi për qëllim të bëjmë ndonjë analizë të rezultateve dhe të rrjedhës së referendumit, jo se janë bërë shumë të tilla dhe se është folur mjaftë, por, për mendimin tim, nuk ia vlenë, ngase nga njëra anë, përceptimi demokratik për referendumin tek bashkësia etnike maqedonase dallon nga ai tek shoqëritë dhe bashkësitë etnike në vendet me demokraci të avansuar dhe në shtetet me traditë të gjatë demokratike, dhe nga ana tjetër, se dallon tereni politik, social dhe mentaliteti, këtu brenda Ballkanit, dhe në Evropën Perëndimore. Këtu, për fat të keq, fitohet përshtypja se gjërat nuk bëhen se duhet apo nuk duhet të bëhen, nuk kalon dhe nuk dështon referendumi, se duhet apo se nuk duhet të kalojë, por thjeshtë, për inat të shqiptarëve, edhe nëse u kthehet tjerëve si bumerang. Uroj që mos të jetë kështu, por nga ajo që shihet dhe dëgjohet në këtë shoqëri që cilësohet si multietnike, dhe për nga përbërja edhe ashtu është, por i tillë nuk është edhe shteti në kuptim juridik dhe politik, nuk të bën të jeshë optimist se gabon.

Ajo që dua të vë në fokus në këto rreshta është pyetja: Kush është kurban? Përgjigja në këtë pyetje nuk është e rëndë. Nga mania për tu dukur gjatë fushatës së referendumit, ku u aktivizua një makineri e madhe me mision misterioz, së paku për palën shqiptare, fjalori elektoral dhe taktizimet para, gjatë dhe pas referendumit, kuptohet se kurban do të jenë të drejtat kualitative të shqiptarëve dhe arritja e asaj që vazhdimisht është trumbetuar nga të gjitha partitë shqiptare, si ato që u formuan pas zbrtijes nga mali, poashtu edhe nga ato që aspak nuk u ngjitën në mal, por çdo herë manevruan rrugëve të metropoleve, gjegjësisht barazia e plotë politike e shqiptarëve me maqedonasit. Në veçanti, pas deklaratës së deputetit të DPMNE-së, Ilija Dimovski, dje (10 Tetor 2018), në debatin e Komisionit për çështje kushtetuese ku u debatua rreth të vetmes pikë të rendit të ditës, ndryshimeve kushtetuese, se kjo mund të arrihet vetëm me pëlqimin e dy partive maqedonase, dhe jo ndryshe, u dha mesazh i qartë për shqiptarët se ajo për çka ata synojnë me hapjen e debatit për ndryshime kushtetuese, është e papranuar, dhe mund të jetë vetëm një kurban i radhës. Kjo, ngase partitë maqedonase, edhe nëse pranojnë sipas ndonjë marrëveshjeje të fshehtë dhe të kamufluar, ndryshimet kushtetuese që dalin nga marrëveshja e Prespës, nuk do ta bëjnë këtë për kërkesat e shqiptarëve, për të cilat duhen poashtu 2/3 e votave në kuvend. Edhe kësaj radhe, kërkesat e shqiptarëve do të lihen pas dore në emër të integrimeve euro-atlantke dhe “izetit të madh” për ta bindur DPMNE-në të votojë ndryshimet kushtetuese, që sipas të majtëve, sikur të insistonin që këtë ta bënte DPMNE-ja edhe për kërkesat e shqiptarëve, do të shkatërrohej çdo gjë dhe do të mbyllej perspektiva euro-atlantike e vendit. Deklarata e deputetit të DPMNE-së, që nuk e di, a e ka thënë nga naiviteti dhe papjekuria politike, apo se kështu janë marrur vesht që ai t’u jep mesazh shqiptarëve si mopozitarë në emër të të gjithëve të sojit të tij, duhet të jetë zile alarmi për deputetët dhe klasën politike shqiptare, nëse e kuptojnë, a besoj se e kuptojnë se nuk janë aq naivë sa shtiren disa prej tyre, se etiketat e NATO-s dhe BE-së, që po i përgadisin tjerët, nuk guxojnë të jenë alibi për t’i çuar kurban të drejtat esenciale të shqiptarëve. Kjo nuk duhet të paraqesë rezervë që mos akuzohen shqiptarët për orientim antievropian, ngase orientimi gjeopolitik euroatlantik i shqiptarëve është parë çdo herë, edhe në referendumin e fundit.

Poashtu, duhet patur kujdes që kurbanit postreferendum mos i mbyllen sytë me sherveten e Ivanovit, presidentit që për shqiptarët vazhdon të jetë jolegjitim. Kjo, ngase dizajnerët e politikës sllave në Ballkan, ka mundësi që të mashtrojnë disa shqiptarë të cilët kanë të drejtën e fjalës në foltoret e parlamentit se, ndryshimet kushtetuese, duhet të kalojnë si janë  të shkruara në marrëveshjen e Prespës, ndërkaq, për të drejtat e shqiptarëve, do të mjaftohet me nënshkrimin e ligjit për gjuhët e bashkësive etnike të cilat përbëjnë mbi 20% të popullatës në IRJM, të cilin do ta bëjë një kryetar tjetër që do të vjen pas Ivanovit, ngase ky ka qenë pengesë për komunikim politik, apo edhe vetë kryetari shqiptar i parlamentit, dhe me këtë do të mbyllet çështja, e cila edhe para, po edhe pas luftës së 2001-shit, vazhdimisht ka qenë e hapur dhe ka paraqitur objekt pakënaqësie te shqiptarët. Me këtë, ndryshimet kushtetuese të cilat kërkojnë 2/3 e votave, për të drejtat e shqiptarëve, do të mbulohen me velon e harresës dhe slloganeve pompoze për suksesin e madh të partive shqiptare për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, për të cilën gjë, çdo herë sipas tyre, mos kishin qenë ata, puna nuk bëhej.

Burra, kurban bajrami kaloi, hapni sytë, dikush dëshron çdo herë të drejtat tona të jenë kurban!

Loading...