Një këshilltar i presidentit turk, Erdogan, ka paralajmëruar Greqinë se “do të përfundojë në katastrofë” nëse hyn në luftë me Ankaranë.

“Greqia do të përfundojë në katastrofë brenda 3 ose 4 orësh nëse hyn në luftë me Turqinë”, është shprehur Yigit Bulut.

Ai është shprehur më parë se Greqia përbën sfidë për Turqinë, pasi do të ishte njësoj sikur “një mizë të hynte në betejë me një gjigant”.

Komentet e Bulut vijnë në një momet kur janë rritur tensionet mes Turqisë dhe Greqisë.

Më herët gjatë këtij muaji, Turqia u përplas me Athinën për përdorimin e një fregate ushtarake për të kapur një anije turke kërkimi dhe eksplorimi “Barbaros Hayreddin Pasa”, në Mesdhe.

Ushtria greke kërkoi që anija të tërhiqej, duke pretenduar se i mungonte autorizimi për të eksploruar zonën kontinentale grek.

Në mes të konfrontimit, Forcat Detare Turke, aktive në zonë, nxituan për të mbrojtur anijen, duke çuar në përplasje diplomatike midis fqinjëve pas takimit.