Disa qindra persona protestuan gjatë mbrëmjes në sheshin “Sindagma” të Athinës kundër vrasjes të 35-vjeçarit Kostandinos Kacifas prej policisë shqiptare në përleshjen e armatosur të së dielës së shkuar në fshatin Bularat.

Sipas protestuesve, viktima u ekzekutua prej forcave RENEA, ndonëse policia shqiptare kishte mundësinë ta plagoste më parë.

Protestuesit ndezën qirinj në kujtim të viktimës.

Ata hodhën parulla kundër Shqipërisë dhe pro minoritetit, ndersa dogjen edhe flamurin shqiptar.

Ata kërkuan prej qeverisë “t’i mbrojë prej agresionit të ekstremistëve shqiptarë kundër minoriteti etnik grek që jeton në vendin tonë”. Protestuesit kërkuan dënimin e autorëve.

 “Sëpatë dhe flakë ndaj qenërve shqiptarë. Shqiptar nuk do të bëhesh kurrë grek. Vorio Epiri është grek do të rikthehemi dhe do të dridhet toka” ishin disa nga thirrjet e grekëve.

“Gjaku rrjedh dhe kërkon hakmarrje
Çekiç dhe flakë për qentë shqiptarë
Dëgjoni mirë derra shqiptarë, do kthehemi sërish dhe do dridhet toka
Ushtria greke në Vorio Epir, gjaku rrjedh dhe hakmarrje kërkon
Jashtë tani të gjithë shqiptarët”, këndonin grekët në kor.

Nuk dihet cili do jetë qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj këtyre veprimeve të turpshme.