Gjykata e Apelit në Prishtinë i shqiptoi masën e arrestit shtëpiak deputetit dhe gazetarit Milaim Zeka, për të cilin, për shkak të kërcënimit ndaj prokurorit publik, gjykata themelore javën e kaluar i shqiptoi masën e paraburgimit prej  30-të ditëve në repartin e paraburgimit të policisë së Kosovës, lajmëron korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.

Lajmin për mediat e konfirmoi avokati i Zekës, Gazmend Halilaj, i cili informon se gjatë ditës së sotme deputeti do të lëshohet nga qendra e paraburgimit  dhe do të  dërgohet në arrest shtëpiak.

Zeka është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të kërcënimeve ndaj prokurorit special Afrim Shefkiu, i cili e udhëheq rastin në të cilin deputeti i NISMA-s dyshohet për mashtrim të më shumë se 900 qytetarëve për viza të punës për Gjermani, të cilët i kishte dëmtuar me gjithsej rreth 350 mijë euro.

Zeka në një  intervistë për T7 tha se është ofenduar për shkak të akuzës dhe se personalisht do t’i zgjidh punët me Shefkiun, “sipas kanunit të Lekë Dugagjinit”.

Dy ditë më vonë, gjithashtu për kërcënim ndaj një  prokurori tjetër, u arrestua edhe deputeti i partisë tjetër në pushtet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shkumbin Demaliaj, të cilit gjithashtu i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30-të ditësh dhe ende është prapa grilave.

Deputeti nga radhët e partisë së kryeministrit Haradinaj e kërcënoi prokurorin special Riza Blakaj, i cili e udhëhiqte rastin me veteranët e rrejshëm të luftës dhe i cili, siç bëri të ditur, për shkak të presioneve nga politika dha dorëheqje dhe udhëtoi për SHBA.