Një drejtor banke në Friuli, Itali, është zbuluar se kishte zhdukur plot 1 milion euro nga llogaritë e klientëve të mëdhenj. Por ndryshe nga sa mund të mendohet, këto para ua ka shpërndarë atyre që kishin llogari “të varfra”.

Gilberto Baschiera është 50 vjeç dhe ka drejtuar filialin e bankës së Carnia-s dhe Gemonese-s për Kredi Bashkëpunuese në Friuli.

Ai është shkarkuar nga detyra pasi u zbulua se nga llogaritë e klientëve të pasur mungonin në total 1 milion euro.

Prokuroria e Udines e ka akuzuar për përvetësim dhe mashtrim financiar, por ai ka pranuar të bashkëpunojë duke përfituar lirimin me kusht. Pavarësisht se i kanë sekuestruar shtëpinë, Gilberto thotë se nuk është penduar.

Ai shprehet se gjithçka ka nisur në vitin 2009, si një formë rebelimi ndaj “sistemit që braktis pensionistët dhe të rinjtë që nuk kanë një punë”. Për këtë arsye, ai ka menduar të vërë vetë drejtësi, duke zhvendosur shuma parash nga llogaritë “e majme” drejt atyre me pak para.

“Pasi lajmi doli në dritë, u telefonova të gjithë atyre që u kisha hequr para nga llogaria, për t’u shpjeguar se çfarë më shtyu ta bëja atë gjë”, rrëfen ai për mediat italiane.

“Gjithmonë kam pasur bindjen se përveç mbrojtjes së klientëve që kishin depozita kursimi te ne, kishim edhe detyrimin për të ndihmuar ata që ishin në nevojë”, thotë ai.