Shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov ka thënë sot se me shumicën bindëse të qytetarëve të cilët dolën të votojnë në referendum dhe i dhanë mbështetje Marrëveshjes së Prespës, është obligim të shkohet përpara me apo pa zgjedhje.
Ai sot në profilin e tij në Fejsbuk ka dalë me një status të titulluar “Fakte për referendumin”.

“Të kishte një, NJË votë KUNDËR më shumë, do të gjunjëzoheshim dhe ngrehnim duart. Por me shumicë të këtillë bindëse “PËR”, detyrë e jonë ndaj popullit është të gjejmë mënyrën të ecim përpara, pa ose zgjedhje të reja”, ka thënë shefi i diplomacisë.
Ai në statusin e tij flet për shifra konkrete të referendumit, realitetin me Listën zgjedhore, karakterin e referendumit dhe përfshirjen e saj programin e opozitares VMRO-DPMNE…

“A është fakt se në referendum nuk votuan më shumë se gjysma e qytetarëve (903.169) nga gjithsej personat e regjistruar në Listën zgjedhore ((1.806.336)? Po. A është fakt se Lista zgjedhore nuk është aspak reale, nëse merren parasysh të dhënat e Fondit për Shëndetësi Publike? Po. 416.382 janë persona të mitur, pa të drejtë vote nga gjithsej 1.872.466 të siguruar. A thua qindra mijëra qytetarë janë shpërngulur? Po. A është fakt se referendumi ka qenë konsultativ, apo jo i domosdoshëm? Po. A është fakt se pa dalshmëri formale, vendim i popullit, vendimi kthehet në institucionet? Po. A është fakt se me daljen e arritur ishin të nevojshëm vetëm 441.585 vota PËR? Po. A është fakt se kishim 609.813 vota PËR? Po. Kjo nënkupton se nuk na duhen më shumë vota PËR, por më shumë vota KUNDËR. A është e logjikshme të mungojnë vota KUNDËR, që rezultati të jetë PËR? Nuk është”, thekson Dimitrov.

Димитров ФБ

Ai ka bërë paralelizëm me zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 dhe atyre lokale më 2017.

“A është fakt se 609.813 qytetarë janë shumicë më e madhe nga qytetarët të cilët votuan në zgjedhjet parlamentare në vitin 2016 (1.191.854) dhe nga të gjithë të cilët kanë votuar në zgjedhjet lokale në 2017 (1.079.876)? Po, shkruan ministri i Jashtëm.

Ai ka vazhduar me sqarimin e suksesit të referendumit në programin e VMRO-DPMNE-së.

“A është fakt se në programin e DPMNE-së në faqen 295 shkruan se referendumi do të jetë i suksesshëm nëse atë e përkrahin shumica e qytetarëve të cilët do të DALIN të votojnë, dhe jo shumica e të regjistruarve në Listën zgjedhore? Po. Ja citim: VMRO-DPMNE si parti e përgjegjshme dhe popullore, nuk do të lejojë çfarëdo zgjidhje për kontestin të cilin e ka imponuar Greqia të pranohet nga ana e politikanëve individë, Qeveri apo Kuvend pa mos u prononcuar paraprakisht qytetarët në referendum, ndërsa më pas shumica e qytetarëve të cilët do të dalin në referendum të pajtohen me zgjidhjen e mundshme”, shkruan Dimitrov.

Ministri ka theksuar se pyetja për konsultimin e referendumit të qytetarëve për çështjen e emrit është sjell edhe nga opozita e tanishme, që siç ka shkruar, tani ka zgjedhur të “abstenojë”.

“Të ishte lehtë, nuk do të ishte historike. Përpara dhe lartë! Do t’ia dalim!”, ka plotësuar ai në profilin në Fejsbuk.