Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se Maqedonia duhet t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në NATO dhe porositi se Bashkimi Evropian (BE) duhet t’i japë më shumë rëndësi Ballkanit Perëndimor, raporton AA.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me homologun holandez Stef Blok në Ankara, Çavuşoğlu foli për referendumin e mbajtur të dielën në Maqedoni për Marrëveshjen për Emrin me Greqinë, duke theksuar rëndësinë që zgjedhjet dhe referendumet të jenë transparente dhe demokratike.
Shefi i diplomacisë turke tha se rezultati i referendumit është vendim i popullit të Maqedonisë dhe kjo duhet respektuar nga të gjithë, ndërsa shtoi se NATO-ja dhe BE-ja nuk duhet të hedhin hap mbrapa nga bashkëpunimi me Maqedoninë për shkak të rezultatit të referendumit.
“Maqedonia duhet t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në NATO, ndërkohë që BE-ja duhet t’i japë rëndësi më të madhe Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ministri i jashtëm turk Çavuşoğlu.