Parashikimet e Bankës Botërore për uljen e shkallës së projektuar të rritjes së ekonomisë së Maqedonisë për vitin vijues për zëvendëskryeministrin e obliguar për çështje ekonomike Koço Angjushev duhet të shihen edhe në kontekst të ngjarjeve politike në Maqedoni.

“Është e qartë se ngjarjet politike seriozisht ndikojnë ndaj ekonomisë në vend dhe unë personalisht si i obliguar për ekonominë besoj se Parlamenti do të gjejë forcë për ta zgjidhru problemin, sepse inkuadrimi drejt BE-së dhe NATO-s do të thotë siguri, stabilitet, por para së gjithash do të thotë ekonomi, do të thotë qasje ndaj fondeve parainkuadruese, do të thotë stabilitet në kuptim ekonomik”, deklaroi Angjushev sot në Ohër, me këtë rast duke theksuar se nëse nuk shkohet në zgjedhje të reja mbesin pritjet për realizimin e rritjes së projektuar të BPV-së prej 3,2 për qind.

Sa i përket vërejtjeve rreth realizimit të dobët të investimeve kapitale, Angjushev nuk pajtohet se punët ndërtimore duhet të kryhen me çdo kusht dhe shpenzim të panevojshëm të parave të qytetarëve.

“Ato para duhet të shpenzohen në mënyrë ekonomike. Nëse është e nevojshme për këtë të humbim edhe disa muaj, por projektet teknikisht dhe financiarisht t’i sjellim në gjendje normale. Për tërë opinionin e Maqedonisë dëshiroj të sqaroj se ajo që është paraparë në buxhet për investimet kapitale nuk është autostrada Ohër- Kërçovë. Ato janë mjete të dedikuara për disa punë ndërtimore, të shpërndara në ministritë dikasteriale, si dhe për furnizimin e pajisjes dhe makinave. Rrugët dhe shumat më të mëdha të parave në shtet për infrastrukturë nuk janë në buxhet, ato janë në NP ‘Rrugët e shtetit’, në Hekurudhat e Maqedonisë në infrastrukturën për hekurudhë drejt Bullgarisë, në ELEM për objekte energjetike, në Resurset energjetike të Maqedonisë (REM) për gazifikim, në MEPSO për largpërçues. Këto janë aktivitetet kryesore ndërtimore që shteti duhet t’i realizojë në pjesën e infrastrukturës dhe që do ta përforcojë ndërtimtarinë”, tha Angjushev.

Zëvendëskryeministri së bashku me përfaqësuesit e NP “Rrugët shtetërore” sot kanë kryer inspektim gjatë aktiviteteve ndërtimore rreth ndërtimit të autostradës Ohër-Kërçovë.