Aktvendimi për procedurën e ndarë për Gordana Jankulloskën për lëndën “Tanku” do të kumtohet më 8 tetor, njoftoi sot kryetarja e Këshillit gjyqësor Dobrilla Kacarska, pas deklarimit të fjalëve përmbyllëse.

Prokuroria, pas fjalës përmbyllëse, kërkoi që Gjykata ta shpallë Jankulloskën fajtore për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, së bashku me Poposkin dhe Gruevskin.

E akuzuara Jankulloska konsideron se gjykata duhet të sjellë aktvendim lirimi.

“Në asnjë moment nuk ka ekzistuar paramendim që të nxisë dikë për furnizim të automjetit. Si ministre asnjëherë dhe askujt nuk i kam bërë presion dhe as që kam rënë nën presion të dikujt”, tha Jankulloska.

Jankulloska është e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit si nxitëse. Siç është theksuar në aktakuzën, Jankulloska që ta përmbushë kërkesën e Nikolla Gruevskit, me paramendim e ka nxitur Gjoko Popovskin të kryejë vepër penale.

Gjykimi për Jankulloskën filloi në gusht të këtij viti, pasi e akuzuara lindi. Asaj do t’i gjykohet në veçanti pasi Gjykata e pranoi kërkesën e avokatëve për pushimin mjekësor për shkak të shtatzënisë së saj.

Në “Tanku” tanimë u dënuan ish-kryeministri Nikolla Gruevski me dy vite dënim me burg dhe ish ndihmësministri në MPB, Gjoko Popovski në 6,6 vite burg.