Asociacioni i gazetarëve të Maqedonisë (AGM) e dënon “presionin e vazhdueshëm, mobingun dhe diskriminimin”, të cilin drejtori i Agjencisë Informative të Maqedonisë MIA, Dragan Antonovski, “e bën mbi një pjesë të gazetarëve të MIA-s, që këto ditë kulminoi me suspendimin e gazetarit Cvetin Çilimanov”, i cili është nënkryetar i AGM-së, thuhet në kumtesën e asociacionit.

“Qëndrimet e Cvetin Çilimanovit të shprehura përmes postimeve të tij në rrjetet sociale Tuiter dhe Fejsbuk janë qëndrimet e tij të shprehura në profilin personal, e jo në platformën e MIA-s ose profilet e Agjencisë në rrjetet sociale. Çilimanov nuk e ka shkelur as Ligjin për marrëdhënie pune, as sistematizimin për punë të MIA-s, prej këtu, vendimi është joligjor për suspendimin e tij”, thuhet në kumtesën e AGM-së.

“Diskriminimi në punën e Antonovskit”, thuhet më tej në kumtesë, “shihet edhe në faktin që e suspendoi Çilimanovin pas persekutimit politik, i cili është qëndrim i vet personal, ndërsa për thirrje për dhunë nga një gazetar tjetër të MIA-s Zoran Ivanov, i cili është edhe ish zëdhënës i Qeverisë së LSDM-së – nuk ka as reagim, as suspendim”.

“Nëse vendimi për suspendimin e tij nuk tërhiqet, AGM-ja do ta përkrah Cvetin Çilimanovin nëse vendos që të drejtat e tij t’i mbrojë në Gjykatë kundër drejtorit të MIA-s Dragan Antonovski. E njëjta ka të bëjë edhe me gazezarët e tjerë të Agjencisë të cilët janë nën presion”, thuhet në kumtesën e Asociacionit të gazetarëve të Maqedonisë